Elon Musk ka ofruar sërish blerjen e Twitter me çmimin e rënë dakord në prill

Tregtimi i aksioneve në Twitter u ndërpre sot në bursën e Nju Jorkut “në pritje të informacionit”, pas një raportimi të Bloomberg se Elon Musk i është kthyer ofertës së tij për të blerë platformën me çmimin origjinal të rënë dakord në prill.

Tregtimi fillimisht u ndërpre për pesë minuta dhe më pas u pezullua pasi çmimi i aksionit u rrit +18%.

Bloomberg raportoi se miliarderi Elon Musk ka ofruar sërish blerjen e Twitter Inc për 54.20 dollarë për aksion, oferta e tij origjinale.

Aksionet e Twitter arritën në 47.93 dollarë në Wall Street, por në të njëjtën kohë aksionet e Tesla Inc, kompania e automjeteve elektrike të Musk, ranë 3%.

Propozimi i Musk u bë me një letër në Twitter, sipas Bloomberg.

Avokatët e të dyja palëve nuk ishin menjëherë të disponueshëm për koment.

Musk ra dakord në prill për të blerë Twitter për 44 miliardë dollarë, por u tërhoq brenda disa javësh duke pretenduar se numri i llogarive bot ishte shumë më i lartë se vlerësimi fillestar i kompanisë se ato përfaqësonin më pak se 5% të përdoruesve.

Zhvillimi vjen pasi të dy palët pritej të përballeshin më 17 tetor në Gjykatën e Mosmarrëveshjeve Tregtare të Delaware, ku Twitter po kërkon një vendim që detyron Musk të zbatojë marrëveshjen origjinale duke paguar 54.20 dollarë për aksion.