Elegji për maçokun me emrin “Loki”

Nga: Fadil Lepaja

Po të ishte 1 prilli, sot do të jepja lajmin tronditës: Qenët e Prishtinës e shqyen maçokun e Dua Lipës. Do të reagonin me siguri, të gjithë, fillimisht kombet e bashkuara, BE, vendet e Quintit, shoqatat ndërkombëtare për mbrojtjen e shtazëve dhe miliona fansa të saj anë e mbanë planetit. Kështu do të ndërkombëtarizohej një problem lokal, nga të rrallët ku njerëzit janë të pafuqishëm dhe inferior në marrëdhënien e tyre me shtazët, më konkretisht me qenët.

Komuna do të detyrohej të reagonte gjithashtu. Jo se nuk do komuna, por ka prioritete të tjera, kulturore e biznesore, kryesisht (ndër)kombëtare. Ndoshta edhe Qeveria do të reagonte, por edhe mund të mos e bënte këtë sepse është e zënë me problemet dhe prioritetet e saj. Konflikti në mes të llojeve është ultë në listën e prioriteteve, më ultë madje edhe se normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët. Pastaj, është në përgjegjësi të kryeqytetit kjo kauzë.

Por, sot qysh e dini, nuk është një prilli, as qenët e Prishtinës nuk e hëngrën maçokun e Dua Lipës. Nuk e di madje, nëse ajo e ka një të tillë, por edhe nëse nuk e ka, duhet ta ketë … sepse nuk mund të jesh I famshëm edhe modern nëse nuk e ke. Të gjitha yjet i kanë. Nëse jo një macë apo maçok, atëherë mundësisht të ketë një qen, pasi tash si ambasadore e këtij vendi duhet të promovoj vlerat tona nëpër botë. E qenët e Prishtinës janë vlerë komunale, nëse jo edhe nacionale.

Prishtina është një qytet modern tashmë, me super lagje, super manifestime dhe me lirinë absolute për orientimet dhe kafshët, të cilat , kur flasim për qentë, nuk pranojnë zinxhirë, nuk po socializohen kurrqysh. E kanë ndërtuar shoqërinë e tyre paralele në kryeqytet.

Qysh e dini, në Prishtinë, qentë mund të bëjnë çfarë të duan, por qytetarët nuk munden. Këto vitet e fundit qentë i kanë hëngër disa qytetar, por dihet tashmë se sipas literaturës nga e cila kanë mësuar gazetarët tone, ky nuk është lajm. Vetëm kur qytetari e ha qenin, mësohet në shkollat e gazetarisë, ky është vërtetë lajm. E qytetarët nuk guxojnë të hanë qenët, për tu bërë lajm.

Kësaj radhe shpëtuam. Qentë e organizuar nuk marshuan as në Suny Hill Festival, as në Manifesta…, nuk u koritëm në përmasa ndërkombëtare. Pra, të përmbledhim situatën. Qentë e Prishtinës, tu thuash endacak mund të ofendohen aktivistët e shoqërisë civile dhe politika, sepse ata tashmë janë rezident në kryeqytet. Pas disa vitesh lirie absolute, janë akomoduar dhe tashmë kanë hyrë në një lufte të pashpallur mes llojeve.

Derisa hanin pensionist, fëmijë apo qytetarë të zakonshëm nuk ishte aq shqetësuese. Por tash kanë hapur luftë edhe me llojet e tjera. Duhet të reagojnë shoqata për mbrojtjen e shtazëve dhe politika për të mbrojtur macet nga qenët, përderisa qytetarët duhet të durojnë. Përse nuk reagojnë institucionet dhe shoqatat në mbrojtje të maçokut “Loki”?

Në fund të fundit, nuk është me rëndësi nëse qenët e Prishtinës e kanë shqyer këto ditë maçokun e një këngëtari lokal, e jo atë të Dua Lipës. Maçoku është maçok, e qentë janë qenë. Dihet armiqësia në mesë tyre, nëse jo nga shkenca, ne e dimë nga filmat e vizatuar. Nuk ka arsyetim për mosveprim.

Më herët Qentë e Prishtinës ( ardhacak apo vendas është pa rëndësi) e patën hëngër një pensionist, por kjo nuk u bë aq e madhe se sistemi I drejtësisë heshti. Si duket kishte dilema se kush kë e ka sulmuar atë natë dimri, kur të dy palët ishin të uritura.

Pastaj Qentë e Fushë Kosovës ( Edhe Fushë Kosova, pak a shumë Prishtinë është) e hëngrën një fëmijë të komuniteteve pakicë dhe kjo u bë e madhe, pasi ndërhyri edhe faktori ndërkombëtar, si gjithnjë i ndjeshëm në këtë rrafsh. Por, edhe kjo punë u harrua shpejtë dhe ne vazhduam të bashkëjetojmë me komunitetin e qenve, duke i ikur telasheve, duke lëshuar rrugë aq sa mundeshim. Por, tash janë organizuar. Ndoshta ky fakt mund ta bëjë prokurorinë të reagojë. As në shtëpi nuk janë rehat qytetarët. Kush e ka gjumin e lehtë ka çfarë të rrëfej për ulërimat sapo … fillon të gdhijë.

Por të kthehemi te shqetësimi ynë: A do të reagoj kush për viktimizimin e maçokut me emrin “Loki”? Aktivist të drejtave të shtazëve, kujdes! Keni obligime morale edhe ndaj tij. Ju kuptoj që nuk bezdiseni për njerëzit që mbeten pa gjumë, për zonjat që stepen të frikësuara përpara tufave agresive të cilat tashmë i kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit. Nuk është fshehtësi që më në shitoren e afërt nuk dërgohen fëmijët e vegjël apo gratë shtatzëna për të blerë ushqime. Qytetarët nuk duan të provokojnë një konflikti të mundshëm mes llojeve. Qytetarët e Prishtinës kanë kaluar në rezistencë paqësore dhe po presin që komuna të reagojë. A do të reagojë?

Do të shkojë huq flijimi i maçokut “Loki” ? Mllefi dhe iritimi i artistit, i shprehur në rrjetet sociale, mund të jetë fundi i rezistencës paqësore të qytetarëve të Prishtinës! Kjo mund të shndërrohet në kauzë!