Ekzekutim me azot për të dënuarin me vdekje
Në Shtetet e Bashkuara pritet të kryhet i pari ekzekutim në botë i të dënuarve me vdekje, me azot.
Për të parën herë kjo metodë do të aplikohet ndaj Kenneth Eugene Smith në Alabama. 58-vjeçari është dënuar në 1989-ën për vrasjen me metoda makabre të një 45-vjeçarje, me porosi të bashkëshortit të saj të zhytur në borxhe, i cili kërkonte të përfitonte nga sigurimi i saj i jetës.
Avokatët e të dënuarit janë kundër ekzekutimit të tij me azot, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Ata hedhin dyshime se, duke qenë një metodë e paprovuar më parë për dënimet me vdekje, mund t’i shkaktojë vuajtje të rënda të dënuarit dhe mund t’i shkaktojë pasoja edhe pjesëtarëve të stafit të burgut.
Megjithatë, zyrtarët e shtetit federal amerikan e konsiderojnë këtë si metodën më pak të dhimbshme, krahasuar me karrigen elektrike apo varjen në litar.

