Dogana ka parandaluar përpjekjen për kontrabandë të cigareve, verës, pajisjeve të TI, pjesë të automobilave, dhe janë sekuestruar 30 mijë euro

Shkup, 3 qershor – Drejtoria Doganore dhe ekipet mobile të doganës gjatë javës së kaluar parandaluan përpjekje për kontrabandë të cigareve, verës, pajisjeve të TI, pjesë të automobilave, ndërsa në një rast u sekuestruan 30 mijë euro, njoftoi sot Drejtoria Doganore. U parandalua po ashtu edhe hyrja e paligjshme e migrantëve.

Doganierët në pikën kufitare të Bogorodicës në një cisternë gjetën 49 paketa cigare dhe 300 gram duhan për duhanpirës, të fshehura në tubin e gomës dhe në tubin e pjesës së poshtme të cisternës.

“Shoferi i automjetit të ngarkuar – cisternë, për të mundësuar nxjerrjen më të lehtë të paketimeve të cigareve, i ka lidhur me tel duke i fshehur nëpër tubat e cisternës, me qëllim që të shmangë pagesën e taksave në shumën prej 81 mijë denarë. Kundër tij ka filluar procedura përkatëse, ndërsa pakot e cigareve dhe duhani janë sekuestruar”.

Në një rast tjetër në pikën kufitare Bogorodicë, Shërbimi i skanerëve mobil, gjatë skanimit të një automjeti të ngarkuar – cisternë, ka zbuluar 6 pako cigare të fshehura në kabinë, thuhet në njoftim.

U sekuestruan gjithashtu edhe 30 mijë euro që një udhëtar po përpiqej t’i kalonte në mënyrë të paligjshme përmes pikës kufitare të Bogorodicës. Nga Dogana sqarojnë se bëhet fjalë për një shtetas serb që po transportonte 40 mijë euro dhe për të cilat shoferi nuk kishte një dokument që të dëshmonte regjistrimin e mjeteve paguese në hyrje të shtetit. Sipas ligjit, udhëtarit iu kthyen 10 mijë euro, shumën që shtetasit jo rezidentë mund ta nxjerrin lirshëm nga shteti, ndërsa 30 mijë euro të tjera u sekuestruan.

Shërbimi i skanerëve mobilë parandaloi gjithashtu një përpjekje për hyrje të paligjshme të katër migrantëve, shtetas të Egjiptit. Migrantët u gjetën në hapësirën e paletave të një kamioni me targa greke, gjatë hyrjes në shtet, në pikën kufitare të Bogorodicës. Rasti u dorëzua për procedurë të mëtejshme tek shërbimet policore të pikës kufitare.

U parandalua përpjekja për kontrabandë të 540 shishe vere të fshehura në një autobus, të regjistruar për hyrje në shtet në pikën kufitare të Bllacës.

Gjatë kontrollit të automjetit i drejtuar nga një shtetas shqiptar, i raportuar për hyrje në shtet në pikën kufitare Mexhitlija, janë gjetur 143 pajisje rezervë për automjete dhe 24 litra vaj motorik.