Dita e dytë nga vizita e delegacionit qeveritar kishtar në Romë
Romë, 24 maj – Delegacioni qeveritar-kishtar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në kuadër të ditë së dytë të vizitës në Romë dhe Vatikan do të bëjë homazhe para varrit të Shën Kirilit dhe Metodit në bazilikën “San Klemente”, ku mitropolitët Pimen dhe Josif do të mbajnë lutje për nder të Shën Kirilit.
Pas vizitës në Bazilikën e “San Klemente”, kryeministri Kovaçevski do të takohet me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Dragi.
Dje Kovaçevski pati takim tet-a-tet, ndërsa pastaj audiencë te papa Françesku, në të cilën morën pjesë edhe anëtarë të delegacionit të vendit.
Në audiencën te Ati i Shenjtë Françesku, si një nga aktivitetet qendrore të programit për nderimin e jetës dhe veprës madhështore të iluministëve Kirili dhe Metodi, kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohjen për vizitën e Papa Françeskut në vendin tonë në vitin 2019, e cila ishte vizita e parë e një udhëheqësi të Kishës Katolike Romake që mbahet mend si historike.
Gjatë bisedës me Papa Françeskun u theksua roli i vëllezërve iluministë Kirili dhe Metodi, të cilët me misionin e tyre për të përhapur krishterimin në një gjuhë të kuptueshme për popujt sllavë, kryen edhe misionin e lidhjes së popujve të Evropës. Maqedonia e Veriut dhe Vatikani, u theksua në takim, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 28 vjet më parë, me përkushtim dhe respekt të ndërsjellë ndërtojnë miqësi të bazuar në traditat e përbashkëta historike, kulturore dhe fetare dhe figura të rëndësishme si shenjtorët Kirili e Metodi dhe Shën Nënë Tereza.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se me Papa Françeskun ranë dakord se thelbi i veprimit tonë është mbështetja e bashkëqytetarëve tanë më të cenueshëm në kohë krize. Respektimi i dallimeve si një nga shtyllat e ndërtimit të një shoqërie në të cilën ka vend për të gjithë, reflektohet në traditën e tolerancës ndërfetare, respektimin e besimeve të ndryshme fetare dhe nxitjen e lirisë dhe demokracisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski i dhuroi Papa Françeskut një fragment të punuar me dorë me shkrim kaligrafik në letër të punuar me dorë nga eulogjia e Shën Klimentit të Ohrit, një rruzare me perlë tradicionale të Ohrit dhe filigran, si dhe një disk vinyl të virtuozit maqedonas Vllatko Stefanovski.
Kryeministri Kovaçevski së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmanin patën takim edhe me sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin dhe sekretarin për marrëdhënie me shtetet, Pol Riçard Gallager, në të cilin u theksua se marrëdhëniet diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Vatikanit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë zhvilluar të vazhdimësi me një nivel të lartë të besimit, mirëkuptimit dhe miqësisë reciproke.
Bashkëbiseduesit theksuan se lidhjet shpirtërore përmes trashëgimisë civilizuese të Nënë Terezës dhe shenjtorëve Kirili dhe Metodi, përkthehen në marrëdhënie miqësore politike me Vatikanin të cilat vitet e fundit janë konfirmuar nga dinamika në rritje e takimeve dypalëshe në nivelin më të lartë, ndërsa u bisedua edhe për përgatitjet e të dyja palëve për nënshkrimin e marrëveshjes, gjegjësisht konkordatit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e statusit të Kishës Katolike në vendin tonë që do të hapë potenciale të reja për bashkëpunim në më shumë fusha me interes reciprok.

