Dimovski: Duhet t’i ndërpresim bisedimet me Bullgarinë, mjaft humbëm me marrëveshjen e Prespës

Shkup, 24 maj – Duhet të eskalojmë problemin, po bëhet i njejtë sikurse me Greqinë. Duhet të mos flasim më për identitetin, të njoftojmë Brukselin dhe SHBAtë. Kështu shprehet Ilija Dimovski, ish deputet i VMRO-DPMNE-së lidhur me negociatat Maqedoni-Bullgari sa i përket vetos, informon Zhurnal.

Ai shprehet se nuk duhet më fare të flitet për histori dhe pakicë. Sipas tij, duhet të flitet për arsim, për shkencë, transport, sepse kështu Maqedonia po futet në grackë.

“Duam t’i japim fund negociatave për gjuhë dhe histori. Dy vite i humbëm dhe kjo nuk ka fund. Kërkesat e Bullgarisë janë të qarta, kjo është politika e tyre”, konsideron Dimovski.

Ai shprehet se duhet të vendoset një linjë e kuqe e cila nuk duhet të tejkalohet.

“Humbëm shumë me marrëveshjen e Prespës. Nuk duhet të shkojmë si qengjat në therrje. Këto analiza dhe angazhimet e njerëzve sikur Buçkovski dhe Georgievski duhet të hedhen në kantë”, sqaron Dimovski.

Sipas tij, nuk pritet së shpejti të fillohen negociatat me BE-në.

“Konsideroj se nuk do të hyjmë në BE as për 20 vite dhe qytetarët duhet të përballen me të vërtetën. Nuk e them këtë si nënçmim, por atë ashtu siç është”, thotë Dimovski./Zhurnal.mk