Dhjetëra nxënës në Meksikë janë helmuar nga një substancë e panjohur

Të paktën 57 nxënës janë helmuar me një substancë të panjohur në një shkollë të mesme në shtetin jugor meksikan Çiapas, njoftuan autoritetet lokale. Sipas mediave meksikane, ky është helmim i tretë masiv në një shkollë në Çiapas në dy javët e fundit gjë që ka shkaktuar frikë dhe zemërim te nxënësit dhe prindërit e tyre.

Instituti meksikan i Sigurimit social tha se 57 adoleshentë nga një shkollë në shtetin Çiapas u pranuan në një spital lokal me simptoma të helmimit. “Njëri prej nxënësve është në gjendje ‘delikate’ dhe është transferuar në spitalin e kryeqytetit, ndërsa gjendja e të tjerëve është stabile”, thuhet në kumtesën e Institutit.

Autoritetet nuk kanë dashur të spekulojnë se çfarë e shkaktoi helmimin, por agjencitë lokale të lajmeve njoftuan se disa prindër besojnë se nxënësit kanë rënë në kontakt me ujë ose ushqim të kontaminuar. Pasi në media dhe rrjete sociale lokale u shfaqën informacione se disa nxënës kanë rezultuar pozitivë me kokainë në gjak, prokuroria tha se ka kryer 15 analiza toksikologjike ku të gjithë rezultuan negativ për praninë e substancave të ndaluara. Zyra e Prokurorit të përgjithshëm kumtoi se do të vazhdojë të testojë nxënësit, por nuk u përgjigj në pyetjet lidhur me rastet e mëparshme të helmimit në Çiapas.