Danella Arsovska e knaqi Shkupin, tash don ta kapë “bajrakun” për të formuar parti politike në gjithë Maqedoninë!

Shkup, 5 janar – Ashtu siç ka shkruar edhe më herët Zhurnal, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, planifikon të formojë parti politike. Sipas saj, ideja ka ekzistuar prej kohësh dhe është bazuar në vlerësimin e këshilltarëve që ka se ka pasur mbështetje të madhe nga qytetarët, intelektualët, sektori i shoqërisë civile, pjesë e votuesve të pavendosur. Danella Arsovska konfirmoi zyrtarisht në emisionin “Click Plus” në TV21 se tashmë është në proces të formimit të partisë së saj.
Edhe pse vazhdimisht është përmendur në media për shumë dështime me udhëheqjen e kryeqytetit, Arsovska ka theksuar se dëshiron t’u tregojë qytetarëve se mund të bëjë më mirë. E çka mund të bëjë më mirë? Vallë don ta mbushë gjithë Maqedoninë me mushkonja, siç akuzohet se e mbushi Shkupin? Jo! Kryekomunarja e Shkupit qenka e bindur se do të sjellë ndryshime pozitive!
“Përderisa të bëhen gjërat për të kënaqur nevojat individuale të disa politikanëve, të një pjese të kësaj elite politike të korruptuar, nuk do të ketë përparim në vendin tonë. Dhe nëse vetëm unë si individ mund të tregoj se është e mundur ndryshe, besoj se me gjithë njerëzit që më përkrahin dhe numri i atyre qytetarëve është i madh, do të mund të tregoj më shumë”, tha Arsovska. Mirëpo e pyetur nëse do të jetë kryetare e kësaj partie, Arsovska nuk është përgjigjur konkretisht, që nga njiohësit e rrethanave politike interpretohet se ajo nuk është e sigurt në suksesin e partisë dhe prandaj ka rezerva që ta kapë “bajrakun”, shkruan Zhurnal.
Premtoi megaparqe, solli mushkonja?!

Në funksion të përgatitjes për “ujërat e turbullta politike”, Arsovska ka filluar t’i relativizojë skandalet.
Kështu hyrjen e Policisë Financiare në Qytetin e Shkupit lidhur me dyshimet për 30 mijë eurot e ndara për dekorimin e qytetit, ajo tha se ka pasur një “thashetheme” të madhe apo tentim për skandalizim rreth lajmit se Policia Financiare do të hyjë në qytetin e Shkupit lidhur me dekorimin e qytetit. Sipas Arsovskës, ka qenë një dramatizim dhe askush nuk ka hyrë dhe as ka marrë gjë. Vitet e fundit në kryeqytet është vënë re ndotje enorme e ajrit, e Arsovska edhe për këtë është munduar ta relativizojë fajin e saj. Ajo madje thotë se institucioni i vetëm që kujdeset për qytetarët në Shkup është pikërisht Qyteti i Shkupit, e si duket tenton edhe të viktimizohet si politikane grua.
“Më bën përshtypje që në Maqedoni jam personi më i sulmuar, grua në këtë rast dhe më bën përshtypje që politikanët presin që unë t’i zgjidh të gjitha problemet që nuk i kanë zgjidhur ata ndër vite”, tha Arsovska.
Ajo njoftoi se ka filluar ndërtimi i pesë megaparqeve në Qytetin e Shkupit, duke përmendur edhe “megaparkun” e Çairit edhe pse zyrtarët që i kontaktoi Zhurnal në komunën e Çairit, por edhe shumë qytetarë që jetojnë aty, thonë se ky “megapark” as për së afërmi nuk është ashtu siç është premtuar, e madje akuzojnë se vetë Arsovska bën pengesa.
“Mega park në Gjorçe Petrov, 50 mijë metra katrorë, kemi pastruar një deponi ilegale aty afër këtij parku që ishte 20 metra e lartë. Ajo që kemi bërë atje është një vlerë e dyfishtë, pasi ata njerëz që dikur jetonin rreth asaj deponie të madhe, tani jetojnë pranë një mega parku. Jo vetëm që është i pastër, komod dhe i bukur, por edhe vlera e pronës së tyre është rritur. Nga ana tjetër, ata jetojnë të shëndetshëm. Kemi ndërtuar edhe një park në komunën e Aerodromit me 27 mijë metra katrorë, kemi krijuar një mega park në Çair”, thotë Arsovska.
Që nga ardhja e saj në krye të qytetit, banorët e Shkupit ankohen për tmerrin që përjetojnë nga mushkonjat, tmerr që fillon nga muajt e pranverës, e që nuk mbaron deri në vjeshtën e vonë. Qyteti vazhdimisht gjen aryse për këtë problem, por ekspertët dhe mediat shprehin dyshime se në fakt nuk bëhet spërkatje kundër insekteve me kritere të nevojshme, e madje ka pasur edhe dyshime se bëhen manipulime duke mos blerë sasitë e nevojshme të preparateve për sëprkatje, me çka mjetet e parapara për ato preparate shkojnë në xhepat e atyre ku nuk duhen shkuar, shkruan Zhurnal.
Pasurimi i familjes së Arsovskës

Mediumet tjera, por edhe Zhurnal në vazhdimësi kanë shkruar lidhur me kryekomunaren e Shkupit, e veçanërisht për pasurimin e babait dhe vëllaut të saj. Dokumentet nga kadastra, të siguruara përmes qasjes së lirë tek informatat publike, zbulojnë se gjashtë parcela kadastrale në Gazi Babë kanë përfunduar tek kompania “Titan Motors”, pronar i së cilës është Vanço Jovanovski, babai i kryetares së Shkupit Danela Arsovska. Është një pronë ku ka objekte biznesi dhe po ndërtohen salla, në bazë të një plani urbanistik të miratuar në vitin 2000, ka shkruar Fokus.
Ajo që është karakteristike për të gjitha parcelat është se ato janë blerë gati katër vite më parë, më saktë në periudhën 2018-2019, pas së cilës kanë filluar aktivitetet ndërtimore dhe një objekt është ende në pritje të miratimit të ndërtimit. Në këtë mënyrë është zgjeruar edhe për 17 ijë hektarë më tepër “imperia” e babait të Arsovskës, ndryshe ish inspektor policor.
Sado që Arsovska në listën e saj te Antikorrupsioni ka paraqitur pasuri modeste, megjithatë lista e pasurisë së babait të saj sikur të mos ketë fund, kurse nuk është për t’u nënçmuar as pasuria e vëllait të saj.
Fokus me një rast ka vizituar disa lokacione që figurojnë në emër të Jovanovskit (babait të Danella Arsovskës). E tërë pasuria e tij gjendet në disa adresa të ndryshme, respektivisht është e shpërndarë në komunat Kisella Vodë, si dhe në lagjet Karposh dhe Kapishtec. Lokacioni i parë gjendet te salla e sporeteve “Rasadnik” në Kisella Vodë. Arsovska është akuzuar në disa raste se falë saj kjo kompani është zhytur në borxhe, e një gjë të tillë e tregon edhe gjenda faktike në teren, ku vërehet salla e sporteve me dritare të thyera dhe me brendi të shkatërruar.
Në lokacionin e dytë që figuron në emër të Jovanovskit, mund të vërehet shtëpi e madhe me oborr në lagjen elitare “Përzhino”, në të cilën adresë gjendet edhe Shtëpia e pleqve “Feniks Familly”, që është pjesë e një zinxhiri të shtëpive të pleqve të cilat gjenden në tri komuna të ndryshme në Shkup. Kjo shtëpi e madhe, me oborr prej 1.000 katrorëve është në emër të babait të Arsovskës, por me siguri është dhënë me qira, kurse udhëhiqet nga një person me emrin Bllagoja Stevanovski, me profesion psikiatër.
Aty vërehet qartë ndërtesa e bukur dhe luksi që e posedon. Gjendet 450 metra nën shpatin e malit Vodno dhe posedon 40 dhoma të klimatizuara me banjo individuale dhe terasa, që ofrojnë pamje panoramike të Shkupit. Në të njëjtën lagje elitare (Përzhino), gjendet edhe një pasuri tjetër e patundshme e Jovanovskit, ku dikur ka qenë hoteli i njohur “Imperial”. Aty gjendet selia e një kompanie tjetër që ai e posedon. I njëjti objekt, sipas mediumeve, pak më vonë është adoptuar në Shtëpi për pleq me emrin “Harmonia” në pronësi të Todor Terziev. Ai e ka shfrytëzuar me qera këtë objekt nga viti 2016 deri në vitin 2021, kur është transferuar në lagjen Kapishtec.
Ndoshta këtu bazohen dyshimet e opinionit se hyrja e saj në politikë si kryetare e Qytetit dhe formimi i paralajmëruar i partisë “Drejtësia”, mund të kenë qëllim ruajtjen dhe shtimin e “mallit” familjar. Krahas kësaj, pak më gjatë kohë në kuloare qarkullon informacioni se partia e Arsovskës duhet të shërbejë edhe si “strehimore” e re politike për ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe përkrahësit e tij, ka shkruar Zhurnal që në shtator të vitit të kaluar./Zhurnal