Çfarë ndodhi mbrëmë në Kuvend, debat i ashpër, u shkarkua apo jo Ilire Dauti?
Shkup, 11 janar – Kuvend megjithëse është vendi ku ndeshen mendimet dhe idetë ndryshe, kjo në fakt i jep kuptim të plotë atij vendi. Sepse, ata deputetet marrin paga shumëfish më të larta sesa mesatarja e vendit, për atë edhe nuk duhet të flenë në atë vend. Zhurmë e madhe, debat i ashpër, interpelancë, shkarkime, votime, akuza e kundër akuza, replika pa masë, këto janë karakteristikat përmes të cilave mund të përshkruhen ngjarjet e mbrëmshme në Kuvend, shkruan Zhurnal.
Nga interpelanca në akuza e replika pa numër –
Me interpelancën për shkarkimin e Izet Mexhitit, Astrit Isenit, Pance Toshkovskit, Ivan Stoilkovic, dhe shkarkimin e Ilire Dautit nga pozita e kryetares së Komisionit për punë dhe politikë sociale, demografi dhe rini, ka filluar seanca e parë e Kuvendit më 10 janar, pas pushimit për festa.
Këto interpelanca ishin të ngritura nga Fronti Evropian dhe të Majtës së Apasievit. Frontii Evropian kishte ngritur interpelancë kundër pjesëtarëve të Qeverisë, ndërkaq e Majta kundër Dautit. Por, që të dyja ashtu si filluan edhe përfunduan të pasuksesshme sepse të njëjtat nuk do i mbështeti as opozitarja LSDM.
Megjithatë, u realizua debat i ashpër në Kuvend, ajo që ra në sy ishte aktivizimi i deputetëve shqiptarë, pushtet e opozitë. Nga pushteti akuzonin për të kaluarën e hidhur dhe famëkeqe të BDI-së, e këto të fundit akuzonin për përgjegjësi VLEN-in.
Pjesa më e mirë e seancës kur të gjithë deputetët shqiptarë VLEN e Front Evropian votuan kundër shkarkimit të Ilire Dautit –
Koalicioni më i madh shqiptarë, VLEN, pjesë e qeverisë aktuale treguan dhe reflektuan pjekurin e duhur politike me çfarë tejkaluan dallimet partiake e kundërshtuese mes Frontit Evropian, dhe të gjithë njëzëri votuan kundër shkarkimit të Ilire Dautit nga kryetarja e Komisionit për punë dhe politikë sociale demografi e rini.
Këtë e bëri të ditur edhe deputeti i VLEN, Halil Snopçe, pasi një pjesë e mediave shqipe mjegulluan situatën duke paraqitur një të pavërtetët se kinse Dauti është shkarkuar. Pastaj, me të marrë fjalën në foltore Snopçe i dha dritë situatës reale që ka ndodhur në Kuvend.
“Zonja, Ilire Dauti, nuk është shkarkuar nga pozita e kryetares së Komisionit. Pra, duhet të pastrojmë këtë çështje pasi në mediat në gjuhën shqipe kishte deziniformim, pasi Ilire Dauti do të vazhdojë të ushtrojë pozitën e njëjtë. Prandaj, kjo që u plasua në media është e pavërtetë. Gjithashtu, koalicioni VLEN votoi kundër shkarkimit të Dautit”, ka deklaruar mbrëmë nga foltorja e Kuvendit deputeti Halil Snopçe.
Kuvendi hodhi poshtë interpelancën për Izet Mexhitin –
Kuvendi sonte me tre vota “pro” dhe 64 kundër ka hedhur poshtë interpelancën për zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, të dorëzuar nga koalicioni “Fronti Evropian”.
Interpelancën e ka sqaruar Blerim Bexheti, duke theksuar se “Fronti Evropian” kërkon përgjegjësi politike dhe dorëheqje nga zëvendëskryeministri dhe ministri i parë për shkak të paaftësisë së tij për të menaxhuar situatat që kanë ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Si arsye për interpelancën, Bexheti përmendi incidentin e 28 nëntorit me djegien e flamurit kombëtar, Balancuesin, vendimet e Qeverisë për fshirjen e diasporës dhe Ligjin për gjuhët.
Mexhiti vlerësoi se interpelanca nuk ka të bëjë me të, as me gjuhën shqipe, as balancuesin apo përfaqësimin e drejtë, por me dëshirën e BDI-së për kthim në pushtet. Ai urdhëroi partinë të reformojë dhe të ndalojë “agresivitetin, arrogancën dhe ngritjen e tensioneve ndëretnike që ka praktikuar gjatë gjashtë muajve të fundit, që kur është në opozitë”.
Gjatë diskutimit, deputeti Ljupço Prenzov, i cili tha se VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia juaj” nuk do ta mbështesin interpelancën dhe i tha BDI-së që të mos “shes” patriotizëm të rremë, por të veprojë si opozitë konstruktive, t’i bashkohet ndryshimeve. për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe për të pranuar masat e qeverisë për një standard më të mirë dhe një jetë më të mirë në vend.
Sipas Halil Snopçes nga VLEN, interpelancat e parashtruara nga “Fronti Evropian”, përfshirë edhe këtë për Mexhitin, janë përpjekje e BDI-së që të mos mbajë përgjegjësi për 20 vitet e fundit kur ishte në pushtet.
Kujtojmë që, zëvëndëskryeministri, Izet Mexhiti, në replikë ndaj deputetes së Frontit Evropian, Rina Ajdarit, deklaroi që BDI është transformuar keq dhe rëndë. Sipas Mexhitit një parti e dal nga lufta përfundoi në parti që luanin rolin e shërbëtorëve ndaj Nikolla Gruevskit e Sasho Mijallkov. Ai shtoi tutje që kjo parti nuk kanë kredibilitet të akuzojnë askënd aq më pak Stolillkoviçin, pasi sipas Mexhitit po këta nga BDI janë që me zell pritën Vuçiqin në Shkup, e po këta që janë në listë të zezë me Dodikun.
“Të akuzosh Stoillkoviçin e në të njëjtën kohë të jesh në lista të zeza bashkë me Dodikun e Vulinin. Konstatim i SHBA-ve ishte që keni ndërhyrë në gjyqësi për t’ia ulur dënimin e atij që shëtitet me ferrari, Sasho Mijallkovit. Pra, BDI nga parti e luftës u transformuan në shërbëtorë të Gruevskit e Mijallkovit”, replikoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti nga foltorja e Kuvendit.
Megjithatë, mbrëmë edhe përkundër gjithë hapësirës për kritikë Kuvendi u gjallërua me debat ashtu siç duhet duke dëshmuar që deputetët janë duke bërë përpjekje për ta dhënë maksimumin e tyre në përmbushje të obligimit dhe besimit të qytetarëve që kanë marrë në zgjedhje. A ka mundur më mirë e më përmbajtësisht të zhvillohet debati, sigurisht që po. Por, ky është vetëm një hap para drejt përmirësimit dhe ofrimit më të mirës. /Zhurnal.mk

