Çfarë ndodh në Iran kur një president vdes në detyrë?

Mediat iraniane kanë konfirmuar vdekjen e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, në moshën 63 vjeçare, dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, pas një rrëzimi të helikopterit në provincën malore të Azerbajxhanit Lindor.

Përveç tyre, bëhet e ditur se të vdekur kanë mbetur edhe shtatë persona tjerë pjesë e ekuipazhit, duke e dërguar kështu numrin e të vdekurve nga përplasja në nëntë, shkruan yahoonews.

Më poshtë është përshkrimi i shkurtër i asaj që Kushtetuta e Iranit thotë se ndodh kur një president vdes në detyrë:

Nëse një president vdes në detyrë, neni 131 i Kushtetutës së Republikës Islamike thotë se zëvendëspresidenti i parë, në këtë rast Mohammad Mokhber, e pranon detyrën, me konfirmimin e liderit suprem;

Një këshill i përbërë nga nënkryetari i parë, kryetari i parlamentit dhe kreu i gjyqësorit, duhet të organizojnë zgjedhje të reja për president brenda një periudhe maksimale prej 50 ditësh.

Ndryshe, Raisi u zgjodh president në vitin 2021 dhe sipas kalendarit të zakonshëm zgjedhjet presidenciale të ardhshme do të mbaheshin në vitin 2025.

Tani, sipas rregullave kushtetuese, ato pritet të mbahen në fillim të korrikut.