Çelet thirrja për grantet 2025, Kumbaro: 300 mln lekë për mbështetjen e startup-eve

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se për të rinjtë në të gjithë vendin është hapur thirrja e granteve 2025 për startup-et shqiptare.

“Një mundësi që mbështet të gjithë të rinjtë që ta kthejnë frymëzimin e tyre në një projekt, me inkurajimin e veçantë për të rinjtë e Gjirokastrës që kanë krijuar shembuj suksesi përmes startupeve, ta vazhdojnë më tej këtë risi duke aplikuar deri më 30 dhjetor”, tha Kumbaro në një postim në Facebook.

Ministrja theksoi se “qeveria shqiptare po vendos në dispozicion 300 milionë lekë për të fuqizuar inovacionin dhe sipërmarrjet e reja, prandaj lexoni me vëmendje kriteret dhe çoni përpara idenë tuaj të biznesit falë kësaj mbështetje”.

Programi për mbështetjen e kompanive startup dhe lehtësuesit e startup-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështetëse 2025 është krijuar nga qeveria shqiptare për të stimuluar sipërmarrjen inovative duke ofruar financim për kompanitë startup më premtuese shqiptare.

Financimi i dhënë nga qeveria shqiptare në kuadër të mbështetjes me grante 2025, do të mbulojë 100% të kostove totale të projektit për aplikantët fitues në fazën e parë. Faza e Ndërtimit të Konceptit; 85% të kostove për aplikantët fitues në fazën e dytë; Faza e Validimit dhe 75% të kostove për aplikantët në fazën e tretë; Faza e Zgjerimit dhe Ndërkombëtarizimit. Afati i implementimit të projekteve për vitin 2025 do të jetë afërsisht 9 muaj.