Bota më 2022: Fundi i një epoke
Mbretëresha Elizabeta e Dytë ndërroi jetë qetë këtë pasdite në Balmoral, njoftoi familja mbretërore britanike më 8 shtator të vitit 2022. Dhe bota u ndal për një moment.
Përfundoi një epokë.
Elizabeta e Dytë ishte monarku më jetëgjatë në historinë britanike dhe kreu më i vjetër i shtetit në botë. Ajo ishte mbretëreshë për 70 vjet dhe kaloi rreth e rrotull Tokën 42 herë.
Vetëm një mbret në histori mbretëroi më gjatë se ajo – Lui i Katërmbëdhjetë (mbi 72 vjet midis viteve 1643 dhe 1715).
Elizabeth ka lindur më 21 prill të vitit 1926 në Londër. Ajo u bë trashëgimtare në moshën 10-vjeçare kur xhaxhai i saj, Eduardi i Tetë, abdikoi më 11 dhjetor të vitit 1936, ndërsa babai i saj u bë Mbreti Xhorxhi i Gjashtë.
Ajo u martua me togerin detar Filip Mauntbaten, princ i Greqisë, në Abacinë e Uestminster të Londrës më 20 nëntor të vitit 1947. Ata kanë katër fëmijë: princin Çarlls (i lindur në vitin 1948) i cili tani është mbret, princeshën Ana (1950), princin Endru (1960) dhe princin Eduard. (1964). Filipi vdiq në prill të vitit 2021, në moshën 99-vjeçare.
Edhe pse nuk ka asnjë detyrim për monarkët britanikë të zbulojnë financat e tyre private, është e njohur se Elizabeta la poseduar pasuri personale prej 370 milionë paundë në vitin 2022, respektivisht pesë milionë më shumë se një vit më parë. Mbretëresha ka poseduar edhe koleksion pullash postare mbretërore me vlerë rreth 100 milionë paundë.
Pallati i Bakingamit, rezidenca mbretërore në Londër, dhe Kështjella Uindsor, 30 kilometra në perëndim të Londrës, janë në pronësi të shtetit. Megjithatë, Kalaja Balmoral, shtëpia e pushimeve të familjes mbretërore dhe Sandringem, ku familja mbretërore tradicionalisht feston fundin e vitit, ishin në pronësi të Mbretëreshës dhe i trashëgoi Çarllsi.
Mbretëresha e Britanisë Elizabeta e Dytë vdiq në Kështjellën e saj të preferuar Balmoral në Skoci. Qindra mijëra vetë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar i dhanë lamtumirën mbretëreshës së tyre në ditët në vijim. Arkivoli i saj u ekspozua fillimisht në rezidencën mbretërore në Edinburg dhe më pas në Katedralen Sent Xhajlls. Nga Skocia, arkivoli me kufomën e mbretëreshës u dërgua në Londër, ndërsamë shumë se pesë milionë njerëz ndoqën fluturimin e fundit të Elizabetës së Dytë.
Ishte fluturimi më i ndjekur në historinë e internetit, sipas “Flightradar24”, faqe e interneti që ndjekë fluturimet e kompanive ajrore në mbarë botën. Gjithsej 4,79 milionë njerëz e kanë ndjekur fluturimin përmes internetit dhe një çerek milion njerëz të tjerë në kanalin YouTube. Kompania njoftoi se deri në gjashtë milionë njerëz kanë tentuar të ndjekin fluturimin në minutën e parë të ngritjes së “Boing C17A Globmaster” nga Aeroporti në Edinburg, duke e kërcënuar në këtë mënyrë stabilitetin e platformës. Shtatëdhjetë vjet nga fluturimi i parë i mbretëreshës me aeroplanin “BOAC Argonaut “Atalanta”, fluturimi i fundit i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë është fluturimi më i ndjekur në historinë e “Flightradar24”, njoftoi drejtori për komunikime i kompanisë.
Në varrimin shtetëror të mbretëreshës Elizabeta e Dytë në Abacinë Uestminster në Londër morën pjesë rreth dy mijë të ftuar, duke përfshirë edhe disa qindra presidentë, krerë shtetesh dhe monarkë.
Varrimi shtetëror i mbretëreshës Elizabeta e Dytë konsiderohet të jetë operacioni më i madh i sigurisë në historinë e Britanisë së Madhe, duke tejkaluar operacionin e fundjavës jubilare të platinit dhe Olimpiadës në Londër në vitin 2012. Ngjarja u sigurua nga më shumë se 10.000 policë nga e gjithë Britania e Madhe.
Me muzikë nga gajdexhiu i saj personal, arkivoli i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë u lëshua në varrezën në kapelën e Shën Gjergjit në Uindsor. Me këtë mbaroi shërbimi i fundit publik fetar për mbretëreshën britanike, me të cilin bota i tha lamtumirë njërës prej monarkëve më jetëgjatë.
Mbrëmjen e 19 shtatorit u mbajt një ceremoni private në rrethin e familjes së ngushtë, pas së cilës Mbretëresha Elizabeta e Dytë u varros së bashku me bashkëshortin e saj, Dukën e Edinburgut, në kapelën përkujtimore të mbretit Xhorxh të Gjashtit.
Në ato ditë të vështira dhe pikëllimi për të gjithë botën, veçanërisht për britanikët, Kryepeshkopi i Kanterberit, Xhastin Uelbi tha se shpërthimi i emocioneve për Mbretëreshën “rrjedh nga jeta e saj e bollshme dhe shërbimi me dashuri, që tani nuk është”.
Uelbi, në predikimin e tij në Abacinin e Uestminsterit, tha se mbretëresha ka prekur “shumë jetë” dhe se ka qenë “gëzim” për shumë njerëz.
Njerëzit që shërbejnë me dashuri janë të rrallë në çdo fushë të jetës. Udhëheqësit që shërbejnë me dashuri janë edhe më të rrallë. Por, në të gjitha rastet ata që shërbejnë do të jenë të dashur dhe të kujtuar kur harrohen ata që janë kapur pas pushtetit dhe privilegjeve, tha ai.
Pikëllimi i kësaj dite – që e ka ndier jo vetëm familja e mbretëreshës së ndjerë, por edhe i gjithë kombi, Komonuelthi dhe bota – rezulto nga jeta e saj e bollshme dhe shërbimi me dashuri, që tani nuk janë, shtoi ai.
Uelbi, duke qëndruar në kishën ku mbretërit dhe mbretëreshat janë kurorëzuar që nga viti 1066, gjithashtu tha se mbretëresha në ditëlindjen e saj të 21-të kishte deklaruar “se e gjithë jeta e saj do t’i kushtohej shërbimit të kombit dhe Komonuelthit”.
“Rrallëherë një premtim i tillë është mbajtur kaq mirë”. “Pak liderë e marrin shpërthimin e dashurisë që kemi parë”.