Borisllavova: Petkov nuk do ta vizitojë Shkupin së shpejti

Sofje, 15 maj – Kryeministri bullgar, Kirill Petkov nuk do ta vizitojë Shkupin së shpejti, deklaroi shefja e Kabinetit të kryetarit të Qeverisë së Bullgarisë, Lena Borisllavova.

“Nuk do të ketë vizitë së shpejti, sepse nuk kemi një dokument që të mund të punojmë në bazë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Pra, siç konfirmoi dje pala maqedonase, konferenca ndërqeveritare shtyhet derisa të shohim hapa në lidhje me përmbushjen e kritereve dhe mirëkuptimit, të cilat tregojnë mbrojtje nga diskriminimi i pakicës etnike bullgare”, tha Borisllavova për Televizionin kombëtar bullgar (BNT).

Ajo theksoi se “Bullgaria nuk kërkon një pakicë” në vend, por përfshirjen e bullgarëve si shtet-komb në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që “të kenë të gjitha të drejtat që gëzojnë popujt e tjerë”.

E pyetur nga gazetarët për “pritshmëritë e shoqërisë bullgare që Petkov të nënshkruajë një dokument me Shkupin”, Borisllavova deklaroi se një gjë e tillë nuk pritet për momentin.

E pyetur nëse ndryshimi eventual i qëndrimit të Qeverisë bullgare lidhur me veton për fillimin e negociatave të vendit me BE-në, mund të rezultojë me rrëzimin e Kabinetit të Petkovit, Borisllavova deklaroi se askush nuk do të ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

Ajo potencoi se siç paralajmëroi disa herë vetë Petkov, ndryshimi i qëndrimit bullgar drejt vetos do të jetë i mundur vetëm me arritjen e një konsensusi të gjerë midis koalicionit qeveritar dhe opozitës.