Blinken: Rusia në mënyrë barbare është duke luftuar kundër civilëve në Ukrainë

Sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken sot në Bukuresht i dënoi ashpër sulmet ruse mbi civilët dhe rrjetin elektrik në Ukrainë dhe paralajmëroi vazhdim të mbështetjes së fuqishme të NATO-s për këtë vend.

Në fund të takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme anëtare të NATO-s, Blinken deklaroi para gazetarëve se presidenti rus Vlladimir Putin “është duke udhëhequr luftë kundër civilëve pasi nuk po arrin ushtarakisht ta mundë Ukrainën”, duke e vlerësuar këtë si “akt barbar”.

“Ai është duke e bërë atë duke u përpjekur ta shkatërrojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, t’i fikë dritat, ta ndërpresë ngrohjen dhe ujin që të vuajnë civilët. E kam të qartë (pas takimit) se mbështetja (e NATO-s) për Ukrainën mbetet e fuqishme dhe e vendosur”, potencoi Blinken.

Shefi i diplomacisë ukrainase, Dimitro Kuleba, i cili u takua me Blinkenin në margjinat e takimit, për gazetarët deklaroi se në takimin ministror të NATO-s, Ukraina ka marrë premtime të shumta prej disa anëtareve të Aleancës lidhur me dërhgesën e armëve dhe pajisjeve energjetike.

Kuleba, megjithatë, nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes së gazetarëve nëse këto premtime kanë të bëjnë edhe me sistemin për mbrojtje kundërajrore “Patriot”, të cilin Ukraina me ngulm e kërkon nga Aleanca. Dërgimi i sistemit “Patriot” në Ukrainë dukshëm do ta përmirësojë mbrojtjen e saj kundërajrore.