Blinken në Tel Aviv: Vizioni për paqen është bllokuar gjatë, por është rruga e vetme përpara

Sekretari shtetëror amerikan, Entoni Blinken sot në Tel Aviv ju bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve që t’i qetësojnë tensionet dhe përsëriti se vizioni i bllokuar për paqe është “rruga e vetme” përpara.

“Përgjegjësia e të gjithëve është që të ndërmarrim hapa për qetësim të tensioneve, e jo që t’i ndezim”, theksoi Blinken.

Ai theksoi se sulmi i javës së kaluar ndaj sinagogës në Jerusalem “ishte më shumë se sulm ndaj individëve, ai ishte edhe sulm i aktit universal të praktikimit të fesë së tyre”.

“I dënojmë të gjithë ata që festojnë çfarëdo lloj aktesh terrorizmi që marrin jetë të pafajshme, pa marrë parasysh se kush është viktimë ose në çka beson”, theksoi Blinken, duke shtuar se thirrjet për hakmarrje kundër viktimave të pafajshme nuk janë përgjigje.

Më parë, Blinkeni në Kajro deklaroi se Uashingtoni edhe më tutje beson fuqishëm në zgjidhjen e negociuar “dy shtete si rrugë e vetme drejt zgjidhjes së përhershme të konfliktit”.

Blinkeni sot në Kajro bisedoi me presidentin egjiptian, Abdel Fatah el-Sisi për mënyrat e uljes së tensioneve mes Izraelit dhe palestinezëve, si pjesë e vizitës treditore të vendeve të Lindjes së Afërt. Për nesër është paraparë që Blinkeni të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abas.