Blinken arriti për vizitë në Kajro

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken sot arriti për vizitë në Kajro.

Kryeqyteti egjiptian është stacioni i parë i Blinkenit në turnenë e tij në Lindjen e Afërt, e cila përfshin edhe vizita në Jerusalem dhe Ramallah nesër dhe pasnesër.

Në Egjipt sekretari shtetëror do të takohet me presidentin egjiptian Abdel Fatah al Sisi dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Sameh Shukri.

Pritet që bisedat të përqëndrohen në tensionet në rritje mes Izraelit dhe palestinezëve. Kajro historikisht e ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit mes dy palëve në konfliktin izraelito-palestinez.

Blinken, vizita e të cilit në Egjipt ishte planifikuar kohë të gjatë, është në Kajro kur situata e sigurisë në rajon është përkeqësuar përnjëherë. Shtatë izraelitë janë vrarë në sulmet në Jerusalemin lindor të premten. Po ashtu të premten, armata izraelite e ka bombarduar Rripin e Gazës si përgjigje të raketave të gjuajtura nga enklava palestineze në territorin izraelit, Të enjten nëntë palestinezë janë vrarë në operacionin e forcave izraelite në qytetin Xhenin në Bregun Perëndimor.