Biden ofroi përkrahje për Izraelin pas sulmeve të armatosura në Jerusalemin Lindor

Presidenti amerikan Xho Bajden mbrëmë në bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ofroi përkrahje të vendit të tij pas sulmit të armatosur në Jerusalemin Lindor, ku humbën jetën shtatë izraelitë.

Ai vrasjen e shtatë personave në Jerusalem e quajti “sulm ndaj botës së civilizuar”.

“Presidenti amerikan e theksoi përkrahjen e fuqishme për sigurinë, autoritetet dhe popullin e Izraelit”, kumtoi Shtëpia e Bardhë.

Dje, një sulmues palestinez, ka hapur zjarr para një sinagoge në Jerusalemin Lindor, me ç’rast ka vrarë shtatë persona, ndërsa ka plagosur tre. Sulmuesi është vrarë nga policia.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës palestinez ndaj izraelitëve që nga viti 2008.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant dha urdhër për përforcimin e mbrojtjes në afërsi të Jerusalemit dhe lagjet hebraike, në Bregun e pushtuar Perëndimor.