Besimi: Ka ligje që hyjnë në fuqi më 1 janar, edhe po nuk hapnim debat për reformat tatimore

Shkup, 17 gusht – Edhe nëse nuk e hapnim debatin për reformat tatimore, ka zgjidhje ligjore që hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2023, siç janë tatimimi i të hyrave mbi një milion denarë në vit dhe tatimi i interesave të depozitave, thotë ministri i Financave Fatmir Besimi në intervistën për MIA-n.

“Ne kemi zgjidhje ligjore që hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2023 – ky është tatimi progresiv ku mbi një milion denarë në vit tatohen me 18 për qind dhe 15 për qind është zëri i të gjitha të hyrave të tjera mbi bazë të tatimit të të hyrave personale – qoftë nga kapitali ose nga fitimi ose bazave të tjera. Kjo është zgjidhja ligjore. Edhe nëse nuk hapim debat, kjo hyn në fuqi. Edhe kur flasim për tatimin e interesave të depozitave, dua të them që edhe sikur të mos kishim debat dhe nëse nuk bënim asgjë si Ministri, nga 1 janari i vitit 2023 hyn në fuqi. Kemi zgjidhje ligjore që në vitin 1996 është miratuar në legjislacionin tonë që të tatimohen interesat e depozitave. Kjo disa herë është prologuar dhe zgjidhja aktuale nga janari të vitit 2023 hynë në fuqi. Por, ne duam të diskutohet për këtë dhe prandaj e kemi vënë në tryezë”, thotë Besimi.

Lidhur me propozimin që të tatimohen interesat e depozitave, Besimi shpjegon se propozimi është që të tatimohen vetëm depozitat me afat 12 mujor, në këtë rast duke theksuar se bëhet fjalë për një shumë të vogël parash.

“Propozim zgjidhja për interesat e depozitave ka të bëjë vetëm për depozitat me afat 12 mujor. Edhe në vendet e tjera të Evropës dhe të rajonit kjo tatimohet. Për shembull, në Kroaci me 10 për qind, në Slloveni me 27 për qind, në Hungari dhe Sllovaki me 18 dhe me 20 për qind. Bëhet fjalë për një shumë të vogël të mjeteve. Kështu, nëse dikush ka depozitë prej 100 mijë denarë me afat prej 12 muajsh, atëherë në interesin prej 1000 denarë, tatimi do të ishte 100 denarë. Do të thotë, për 100 mijë depozitë në vit tatimimi do të ishte 100 denarë”, shpjegon Besimi.

Me propozimin e këtillë, Besimi nuk pret që të vijë deri në rrjedhjen e depozitave nga bankat.

Për tatimin progresiv, thotë, se debati publik është vendimtar që të arrihet në një zgjidhje më të mirë, në këtë rast duke mos dashur të paragjykojë nëse personalisht mendon se duhet të vendoset një tatim i tillë.

“Sepse tani kam një rol në Qeveri dhe përgjegjësi para qytetarëve, nuk dua të jap mendim para debatit, por mendoj se kjo temë ia vlen të debatohet, ndërsa pastaj të bëhet propozimi sepse ka zgjidhje të ndryshme. Në lidhje me këtë temë, nuk dua të shkojmë me një zgjidhje triumfuese, por për një zgjidhje të pranueshme për të gjithë”, thotë Besimi, i pyetur nëse si njeriu i parë në Ministrinë e Financave konsideron se nevojitet të vendoset tatim progresiv.

Thekson se mbesin të hapur për propozime dhe zgjidhjeve të argumentuara që do të dilnin nga debati me qëllim që të përmirësohet cilësia e këtij seti të reformave./Zhurnal.mk