Berisha: Program transformues për bujqësinë e blegtorinë, kusht siguria ushqimore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se koalicioni “PD-Shqipëria madhështore” ka një program transformues për bujqësinë dhe blegtorinë i cili kërkon me çdo kusht transformimin e sigurisë ushqimore në vend.
Berisha zhvilloi sot një takim me ekspertë të sigurisë ushqimore ku prezantoi platformën për Sigurinë Ushqimore.
“Ne siç kemi shpallur, kemi një program transformues për bujqësinë dhe blegtorinë, por ky program kërkon me çdo kusht transformimin e sigurisë ushqimore, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për eksportin”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, nuk ka lajm më të keq për tregun se sa kur kthehen eksportet vendase.
“Kthimi i eksporteve është goditje e besimit ndaj prodhimeve shqiptare, të cilat janë shumë të mira. Siç ndodhi me turistët, lëre çfarë thonë shifra këta, por vjet absolutisht gjer në fund të gushtit plazhet e Shqipërisë nuk kanë pasur kurrë as një të tretën se kërcitën çmimet e larta”, vijoi ai.
Berisha siguroi se PD do të bëjë gjithçka për rivendosjen e sigurisë ushqimore, duke bërë një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit.
“Do ta vendosim këtë fushë në transparencë të plotë, në administrim të njerëzve kompetentë, të specialistëve të shquar. Në këtë mënyrë ne bëjmë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt, bëjmë gjithashtu edhe prodhimet shqiptare më të pranueshme nga tregu shqiptar dhe tregu botëror”, shtoi ai.
Berisha theksoi se “‘Made in Albania’ është krenaria jonë kombëtare për një Shqipëri Madhështore”.