Berisha: Blinken është sot “non grata” në vendin e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur deklaratës së sotme të kryeministrit Edi Rama, që tha se “mund të kalojë oqeanin sa herë të dojë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Berisha shtoi se vizita e fundit e Blinken në Tiranë, sipas tij, ka pasur si qëllim mbulimin e skandalit McGonigal, duke e cilësuar atë një çështje që “nuk do të mbyllet kurrë”.
“Për sa i përket asaj që tha ai, unë them dy fjalë, se Antony Blinken sot është ‘non grata’ në vendin e tij dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane. I them gjithashtu se në qoftë se Blinken bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për t’i mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë”, deklaroi Berisha.
Duke u ndalur në çështjet ekonomike Berisha tha se, “gjatë takimit me biznesin e vogël, gjeta aty një situatë dëshpëruese. Biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit dhe ne do të bëjmë gjithçka për suksesin e tij”.
Konstatova me kënaqësi, vijoi ai, se programin e PD për biznesin e vogël, domethënë rritjen e tavanit për biznesin pa taksa nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, ishte pritur shumë mirë.
“Ulja e çmimit të energjisë nga 18 lekë në 6 lekë, përgjysmimi i çmimit të ujit, linjat e kreditit të butë për biznesin e vogël, ulja e tarifave për sipërfaqet publike nga 1500 në 120 lekë, amnistia e të gjitha gjobave të vendosura ndaj këtij biznesi dhe vendosja e “kufirit te thana” për bashkitë që të mos taksojnë këtë biznes më shumë se 1 për qind të xhiros janë, disa masat tona”, deklaroi Berisha.