Ben-Gvir i Izraelit kërkon që përgjegjësia për sigurinë pranë kufirit me Gazën të zhvendoset nga ushtria tek policia

Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka kërkuar që përgjegjësia për sigurinë e qyteteve pranë kufirit me Rripin e Gazës të zhvendoset nga ushtria tek policia, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi publik izraelit KAN, ministri Ben-Gvir gjithashtu kërkoi transferimin e 3.500 ushtarëve nga shërbimi i detyrueshëm në Gardën Kombëtare nën ministrinë e tij.
Sipas transmetuesit publik, kryeministri Benjamin Netanyahu vendosi të lejojë Ministrinë e Sigurisë Kombëtare të rekrutojë oficerë të policisë rezervë në vend të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sa i përket ushtarëve të rekrutuar, transmetuesi tha se Netanyahu i kërkoi sekretarit të tij ushtarak të formulojë një qëndrim zyrtar brenda një muaji.
Në muajin prill, qeveria izraelite miratoi një plan për të krijuar një krah të ri të sigurisë të quajtur “Garda Kombëtare”, drejtpërdrejtë nën ministrin Ben-Gvir.
Izraeli ka nisur një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, duke vrarë të paktën 20.915 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 54.918 të tjerë.
Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha, me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose shkatërruara dhe me gati 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës akute të ushqimit dhe ujit të pastër.