Belgjika alarmohet për një sulm terrorist
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacione të paverifikuara për një sulm të mundshëm terrorist në linjat 2 dhe 6 të metrosë së Brukselit, që duhet të ndodhë të mërkurën, shkruan Brussels Times.
Qendra Kombëtare Belge e Krizave konfirmoi se kërcënimi çoi në kujdes të shtuar, por megjithatë deklaroi se “elementë të ndryshëm tregojnë se nuk ka gjasa për ndonjë sulm”. Kërcënimet janë dërguar në dy emaila dërguar Komisionit Evropian më 16 shkurt dhe 3 mars.
Autori i mesazhit, të shkruar në rusisht, ka thënë se “në dritën e politikës së vazhdueshme agresive të BE-së, po paralajmërohen për sulme të mëdha terroriste në territorin e BE-së”.
Qendra Kombëtare e Krizave të Belgjikës konfirmoi më pas se përmbajtja e emailit ishte shqyrtuar nga autoritete të ndryshme, duke arritur në të njëjtin përfundim se një sulm i mundshëm nuk kishte gjasa.
Policia belge kontrolloi vendet e synuara dhe nuk zbuloi asnjë kërcënim. Janë shtuar edhe patrullat e policisë. Sistemi i transportit publik në kryeqytetin belg ishte tashmë objektiv i një sulmi në vitin 2016, kur një sulmues vetëvrasës la të vdekur 20 persona.

