Bekteshi: Marzha për drutë dhe peletët për ngrohje është ngrirë në 10 për qind

Shkup, 11 gusht – Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme ka miratuar Vendimin për përcaktimin e marzhit më të lartë tregtar si kusht i veçantë në tregtinë për drutë e dushkut, drutë për ngrohje ahu dhe peletë për ngrohje. Sipas vendimit, marzhi më i lartë tregtar për këto produkte për të gjithë tregtarët është përcaktuar maksimalisht 10 për qind, njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Shuma e marzhit tregtar deri në 10 për qind për mallrat e specifikuara do të jetë e vlefshme për të gjitha shoqëritë tregtare dhe tregtarët individualë që marrin pjesë në zinxhirin tregtar në tregtinë me pakicë dhe transporti për dërgimin e mallrave tek konsumatorët e fundit nuk llogaritet në shumën e marzhit tregtar”, sqaroi Bekteshi.

Arsyeja e kufizimit të marzhit tregtar, shtoi, bazohet në rregullimin e diferencave të çmimeve që tani janë të pranishme në tregtinë me pakicë, pra në shitjen e druve për ngrohje dhe peletit të druve për ngrohje.