“Balncuesi” etnik dhe disbalanci politik

Shkup, 20 shtator – “Balancuesi” u vendos si mekanizëm për të rregulluar përfaqësimin adekuat të bashkëive etnike në institucionet shtetërore, në momentin kur konkurset për punësim të menjëhershëm të 400-500 kandidatëve nga bashkësitë etnike (shumica shqiptarë) në administratë, filluan të konsiderohen si mekanizëm joaekuat për të arritur përfaqësimin adekuat në çdo institucion veç e veçë. Si mekanizëm i tillë, “Balancuesi” ka funkcionuar vite me radhë, me anët e veta të mira, por edhe të dobëta.

Prandaj me shqetësim u pranua lajmi për vendosjen e çështjes së “Balancuesit” në rend dite të Gjykatës Kushtetuese, e shqetësimi u bë edhe më i madh kur kjo Gjykatë solli vendim për pezullimin e mekanizmit në fjalë, deri në një vendim tjetër të saj. Ky vendim i shërbeu opozitës si shkas për të sulmuar partitë shqiptare në pushtet se po dëmtojnë interesin shqiptar, shkruan Zhurnal.

Fillimisht reagoi Aleanca për Shqiptarët, krahu i Selës, duke e cilësuar këtë vedim si një goditje të njërës nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit (MO), përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. “Prej sot e tutje, nuk do të ketë më vende të garantuara për punësim dhe emërime në pozicione udhëheqëse të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo shumicë. Kujtojmë Qeverinë aktuale monoetnike, ku tanimë nuk dallojnë as partnerët servil të cilët u bënë në një zë me Mickoskin dhe Stoilkoviçin, se po e çojnë vendin 24 vite pas, në kohën e para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Sot e pa i gjithë opinioni se kush janë skenaristët e destabilizimit dhe kush dëshiron tensione”, reagoi Aleanca për Shqiptarët.

Reagim erdhi edhe nga BDI, prej ku vlerësuan se me këët vendim paralajmërimet publike për deshqiptarizimin e shtetit po realizohen në praktikë “nga kjo qeveri monoetnike në të cilën nodhen edhe humbësit e zgjedhjeve apo shkelësit e legjitimitetit shqiptar”

“VLEN po i mbyllë sytë dhe po e lejon rrënimin e të arriturave më të rëndësishme të shqiptarëve për dy dekada me radhë, që nga lufta e 2001-shit… Vlerësojmë se ky vendim shkel drejtpërdrejt dispozitat kyçe të Kushtetutës sonë dhe rrezikon themelet e shoqërisë sonë shumetnike të ndërtuar me shumë vështirësi.
Ky vendim cënon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, respektivisht s’ka më punësime për shqiptarët”, thuhet më tej në reagimin paksa të vonuar të BDI-së, ani pse para zgjedhjeve kjo parti kishte një lloj qëndrimi se “nuk qenka punë e madhe” premtimi i atëhershëm i opozitës maqedonase që kur të vjen në pushtet do të shfuqizojë “Balancuesin”.
.
Shqetësimet e ngritura nga opozita i uli në një masë zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti, duke sqaruar se përfaqësimi adekuat nuk dëmtohet me shfuqizimin e “Balancuesit”, sepse kjo çështje do të avancohet edhe më tepër në aspektin juridik, duke u rregulluar me ligj të veçantë, shkruan Zhurnal.

“Për hir të së vërtetës, “Balancuesi” në vitet e para pas luftës ka dhënë rezultate efektive në përfaqësimin kuanitativ të shqiptarëve, por jo edhe këto 4 apo 8 vitet e fundit, ku shpesh herë në opinion kanë dalë disa raste ku është devalvuar dhe ka kundër efekt”, tha mes tjerash Mexhiti.

Mexhiti tha se në marrëveshjen politike mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ky mekanizëm do të avancohet në ligj.
“E para, në këtë periudhë, aty ku do të ketë punësime, do të ketë punësime edhe të shqiptarëve, ndërsa e dyta, nuk humbin shqiptarët me atë që hiqet “Balancuesi”, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur momentin për këtë, nuk ka pritur deri në avancim, mirëpo shqiptarët do të fitojnë më tepër, sepse do të sjellim ligj për përfaqësim adekuat, i cili jo vetëm që do të garantojë përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, por do të garantojë punësime jopartiake dhe kualitative”, deklaroi Mexhiti.

Sidoqoftë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “Balancuesi” i paraparë të sjellë balance etnik, shkaktoi një “disbalanc”, respektivisht debat të ashpër politik. Ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili theksoi se nuk mund të përzihet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por shtoi se vendimi duhej të prolongohet deri në sjelljen e ligjit, kurse u është pëegjigjur edhe akuzave opozitare.

“Unë z.Selën dhe z.Ahmetin nuk i kuptoj pse tash ju kujtohet se duheshka në Gjykatën Kushtetuese të ketë badenter. Z.Sela si mik i afërt i z.Ahmetit, 22 vjet kanë pushtet absolut, lokal e qendror. Pse nuk e sollën një ligj si duhet për gjuhën shqipe? Pse nuk e sollën që me badenter të votohet edhe në Gjykatën Kushtetuese? A tash iu kujtua? A duhet t’u japim edhe 22 vite që ta bëjnë një gjë të tillë? Pse nuk e bënë deri tash? Të shesësh mjegulla dhe filozofi është shumë lehtë”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së dhe ministër i Shëndetësisë.

Kurse ministria e Administratës Publike nuk e komenton masën kohore të Gjykatës kushtetuese për “Balancuesin”, zgjidhja ligjore do të pret derisa nuk ka vendim përfundimtar. Mirëpo ministri i Administratës Publike, Goran Minçev potencoi se personalisht e përshëndet vendimin e Gjykatës kushtetuese dhe përsëriti se “Balancuesi” me vite “është keqpërdorur”. Minçev madje shtoi se në këtë moment nuk mund të thuhet nëse do të ketë zgjidhje të re ligjore dhe çfarë do të jetë, do të pritet në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese edhe pse ai i takon një partie që nuk çon shumë peshë në Qeveri./Zhurnal