“Ballkani i hapur” e nisi punën, debati vazhdon

Në vendkalimin kufitar Tabanoc, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, Drejtoria doganore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur tabelën e parë Shiriti i gjelbër për Ballkanin e Hapur i cili është një nga projektet e para të nismës që jep rezultat konkret dhe të dukshëm për qarkullim më të shpejtë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. Kështu kanë njoftur nga Zyra për informim pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga aty kujtojnë se, përfitimi më i rëndësishëm i Shiritit të Gjelbër për kompanitë dhe transportuesit, si dhe për operatorët ekonomikë të autorizuar nga Ballkani i Hapur është reduktimi i kohës së pritjes në pikat kufitare. Kjo, sipas tyre, mundësohet nëpërmjet prioritetit në kalimin dhe zbatimin e procedurave doganore me kontrolle të shkurtuara dhe të lehtësuara fizike dhe dokumentative.

“Me shënimin vizual të Korsisë së Gjelbër për Ballkanin e Hapur, Drejtoria e Doganave i orienton transportuesit drejt lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe zvogëlimin e harxhimeve për eksport dhe import. Javën e ardhshme tabela të tilla do të vendosen edhe në vendkalimin kufitar të Qafë  Thanës dhe pastaj këtë do të bëjnë edhe partnerët nga Serbia dhe Shqipëria, në pozicionet gjatë hyrjes në Maqedoninë e Veriut, në ato shtete.

Autorizimi për operator ekonomik   të cilat i lëshon Drejtoria doganore është konfirmim se personi që mban OEA është partner i besueshëm dhe i sigurt i organit doganor dhe ka kontroll mbi proceset e funksionimit të tij dhe me protokollet që kemi nënshkruar reciprokisht ato certifikata janë njësoj të vlefshme për vendet që janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur. Ky është një përfitim i rëndësishëm për kompanitë nga të tre vendet që mund të transportojnë mallrat e tyre më shpejt dhe me efikasitet”, thuhet në njoftim.

Marjan Zabërçanec, Koordinator nacional për “Ballkanin e Hapur” dhe nismat rajonale shprehet optimist për suksesin e nismës. Ai siguron se nisma shprehet fuqishëm edhe nga SHBA-të.

“Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për të ofruar ndihmë të fortë dhe praktike për “Ballkanin e Hapur” dhe besojnë se atraktiviteti i nismës vetëm do të rritet. Një nga mundësitë e mëdha me të cilat përballemi dhe për të cilën do të na mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është tërheqja e investitorëve të huaj, në radhë të parë amerikanë dhe evropianë, të cilët do të shohin para tyre potencialin e një rajoni të tërë dhe jo vetëm të një vendi. Përfitimi do të jetë i shumëanshëm, për vendet, për investitorët, por mbi të gjitha për qytetarët që jetojnë këtu në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi.

Ka një kërkesë të madhe për tregje të reja dhe fuqi punëtore të re nga kompanitë amerikane dhe evropiane, veçanërisht në fushën e transportit, IT, energjisë së gjelbër, etj.

Një Ballkan i hapur është i pashmangshëm kur lidh Detin e Zi dhe Detin Adriatik ose kur lidh Greqinë me Balltikun, gjë që na bën neve si një rajon veçanërisht tërheqës kur bëhet fjalë për potencialin investues”, ka thënë Zabërçanec.

Opozita s’do të dëgjojë për Ballkanin e Hapur

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së, kërkoi nga Qeveria që të tërhiqen nga inciativa e “Ballkanit të Hapur” me Serbinë: Me një Serbi që bashkëpunon kaq hapur politikisht dhe ekonomikisht me agresorin rus, Ballkani i Hapur rrezikon të bëhet kali i Trojës i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se kjo inciativë është e rrezikshme për sa kohë që Serbia nuk distancohet nga Putin dhe vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës.

“Përveç Bjellorusisë, Serbia ishte vendi i vetëm evropian që nuk e mbështeti rezolutën e përpiluar nga Shqipëria dhe SHBA për miratim nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së për të ndalur agresionin rus ndaj Ukrainës. Me një Serbi që bashkëpunon kaq hapur politikisht dhe ekonomikisht me agresorin rus, Ballkani i Hapur rrezikon të bëhet kali i Trojës i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk guxon të ndodhë! Andaj, i bëj thirrje qeverisë që menjëherë të tërhiqet nga iniciativa Ballkani i Hapur për sa kohë Serbia nuk distancohet nga Putini dhe vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës”, shkruan politikani Ziadin Sela.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në paraqitjen e fundit tha se VMRO-DPMNE ka rezerva për “Ballkanin e Hapur”, ndërsa në të njëjtën kohë BDI e përkrah iniciativën. “Sa herë që bie vlerësimi i BDI-së, ata shkojnë në nacionalizëm, në tema si Kosova, Shqipëria… Sa herë që duan t’i bëjnë lajka, p.sh., komunitetit ndërkombëtar, thonë se projekti “Ballkani i hapur” është i mirë edhe pse Kosova është kundër asaj marrëveshjeje”, thotë Nikolloski.

Sipas tij, është pak paradoksale që VMRO-DPMNE të ketë rezerva ndaj Ballkanit të Hapur dhe BDI të jetë pro./Zhurnal