Balla: Kemi miratuar 23 ligje të lidhura me integrimin, opozita nuk ka dhënë asnjë votë
Tiranë, 9 prill medial.mk/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se opozita nuk ka dhënë votën për asnjë prej ligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian, që janë miratuar gjatë kësaj legjislature.
Duke replikuar në Kuvend me deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Balla bëri të ditur se që prej fundit të shtatorit 2025 në Kuvend janë miratuar gjithsej 23 ligje që përafrojnë legjislacionin me atë të BE-së.
“Do ju jap një fakt. E kemi filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe prej asaj dite kemi miratuara 23 ligje për përafrimin e legjislacionit, në përmbushje të kritereve dhe parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në asnjë prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro, e juaja”, u shpreh Balla.
Sipas Ballës, janë 23 ligje që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e PD-së.
“Këto nuk janë ligjet tona, janë detyrime të Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit. E vërteta e madhe për sytë e Brukselit dhe veshët e publikut është se ju nuk keni votuar për asnjë prej tyre. Nëse e doni anëtarësimin sillni propozimet tuaja, por me variantin ‘ose pranojeni këtë, ose ne…’ nuk ka. Nuk e bëjmë dot. Me 83 mandate që na ka besuar populli nuk ka presione”, tha ai.
Balla theksoi se në fakt opozita ka përjashtuar veten nga ky proces, duke mos votuar ligjet, ndërsa propozoi se mocioni me debat për çështjet e Europës mund të zhvillohet në datën 14 maj, kur është edhe Java e Europës.
Lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, Balla tha se nuk është diskutuar për këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve pasi pritet zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është në shkelje të ligjit të vetë, pasi brenda datës 25 mars duhet të kishte zbardhur vendimin.

