Balancuesi nuk ishte ligj – ishte mungesë ligji me emër të stisur

Shkruan: Bilgin Hajredini – Udhëheqës i sektorit për arsim dhe shkencë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup
Balancuesi nuk ka qenë asnjëherë ligj. Ka qenë një zgjidhje gjysmake, e ndërtuar me vetëdije të plotë nga BDI-ja – një mekanizëm i sajuar për të dhënë përshtypjen e barazisë, por pa garanci reale ligjore. Sepse ky ka qenë gjithmonë stili i tyre: të mos bëjnë asgjë deri në fund, asgjë të përkryer, por gjithmonë me qëllim – për të lënë gjithçka të varur, të kontrollueshme, të kushtëzueshme.
E di mirë për çfarë flas. Kam qenë pjesë e sistemit, kam punuar me mund, me djersë dhe me bindje se po kontribuoja për një të mirë më të madhe. Sot, më shumë se kurrë, e kuptoj se sa të mashtruar kemi qenë. E kuptoj edhe ata të paktët që ende u besojnë pallavrave të tipit “Balancuesi ishte ligj”. Por e them me përgjegjësi të plotë: Balancuesi nuk ishte ligj. Dhe ata që e trumbetojnë këtë, as vetë nuk janë juristë – thjesht përsërisin një gënjeshtër të stërpërsëritur.
Ne që punonim në shkollat e mesme shqipe, luftonim çdo ditë për të hapur drejtime të reja, për të hapur paralelë, për të sistemuar mësimdhënës. Për çdo vend pune duhej protestë, bojkot, presion publik. Ishim të detyruar të bllokonim tërë procesin mësimor vetëm që të siguronim një të drejtë bazike për një shqiptar – një vend pune.
Na sulmonin, na linçonin publikisht, dhe ata që sot hiqen si mbrojtës të përfaqësimit – atëherë nuk reagonin. Heshtnin. Na linin vetëm. E mbani mend çfarë na thoshin?
“Ta kshyrim çka thot Balanceri.”
Po Balancuesi nuk ishte ligj. Ishte një mekanizëm i keqpërdorur dhe i manipuluar politikisht. Në qindra raste u përdor për interesa personale dhe klienteliste, e jo për ndonjë zgjidhje afatgjate apo për ndonjë sistem të drejtë përfaqësimi.
Pikërisht ata që sot flasin me patos për të drejtat dhe përfaqësimin, atëherë ishin arkitektët e heshtjes. Sot kërkojnë të marrin meritat për diçka që kurrë nuk luftuan ta realizojnë. Të vërtetën nuk mund ta fshihni me retorikë. Ne e kemi jetuar, e kemi paguar me stres, me padrejtësi, me dinjitet të cenuar.
Prandaj, në vend të lavdatave të rreme për “balancuesin”, le të flasim për ligj. Për përfaqësim të garantuar. Për sistem funksional dhe të drejtë – që nuk varet nga vullneti i një partie apo nga pazaret nën tryezë.
Sepse vetëm atëherë do të kemi një shtet që funksionon për të gjithë – jo për disa të përzgjedhur.