Balaj: Mbi 300 punëtorë të Telekomit kanë aplikuar për pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave

Në Telekomin e Kosovës për ofertën pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave kanë aplikuar mbi 300 punëtorë të kësaj ndërmarrje. Krahas kësaj, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim të zgjasë afatin e kësaj oferte deri më 10 maj.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj thotë se 340 punëtorë të kësaj kompanie publike kanë aplikuar për të dalë në pension të parakohshëm dhe ndërprerje vullnetare të kontratës për punë.

“Nga data 25 mars deri në 25 prill kanë aplikuar 340 punëtorë për pensionim të parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe për marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thotë Balaj për KosovaPress.

Sipas tij, ka të interesuar edhe shumë të tjerë ta firmosin largimin vullnetar nga puna, dhe sipas tij, për këtë qëllim edhe kanë kërkuar nga menaxhmenti të zgjatet afati edhe për dy javë.

Ndërsa edhe nga menaxhmenti i Telekomit kanë konfirmuar se procesi i aplikimit që ishte paraparë të përfundojë me 25 prill ende nuk është përmbyllur.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Fadil Lepaja ka thënë se me kërkesë të sindikatës, të arsyetuar me interesimin e shtuar të ditëve të fundit për këto pako është vazhduar afati i aplikimit.

“Lidhur me temën konkrete, deri tani as ne si kompani nuk i kemi të dhënat e plota, pasi procesi i aplikimit ende nuk është përmbyllur. Me kërkesë të sindikatës, të arsyetuar me interesimin e shtuar të ditëve të fundit për këto pako, zonja Burbuqe Hana, u.d. kryeshefe ekzekutive e TK-së e ka vazhduar afatin e aplikimit për pakot vullnetare deri më datën 10 maj. Me përfundimin e këtij procesi, gjithsesi do t’i kemi të dhënat e plota”, thotë Lepaja.