Asnjë nga 12 grupet sektoriale të punës nuk përmbushi minimumin për mbajtjen e mbledhjeve

Shkup, 23 maj – Asnjë nga 12 grupet sektoriale të punës nuk e ka përmbushur minimumin e përcaktuar për mbajtjen e mbledhjeve vjetore plenare sipas rregullores së tyre, përderisa katër grupe sektoriale nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje në vitin 2021, tregojnë të dhënat e hulumtimit për punën e Grupeve sektoriale të punës në vitin 2021.
Gjetjet e rëndësishme të hulumtimit, të prezantuara nga Nada Naumovska, nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, në konferencën e sotme onllajn në temë “Çfarë lloj dialogu social na nevojitet në rrugën drejt BE-së”, tregojnë se në vitin 2021 janë mbajtur gjithsej 11 takime plenare të Grupeve sektoriale të punës dhe 8 takime operative, që është ulje në krahasim me vitin 2022, kur janë mbajtur 19 mbledhje plenare dhe 21 takime operative.
Në 11 prej gjithsej 12 grupeve të punës ka 92 përfaqësues të organizatave qytetare, përderisa Konkurrencë dhe inovacione është grupi i vetëm sektorial i punës pa përfaqësues të organizatave qytetare.
Më së shumti anëtarë kanë Grupi sektorial i punës për reforma në administratën publike – 12 anëtarë ose 28 për qind e numrit të përgjithshëm të anëtarëve dhe Grupi sektorial i punës për arsim, punësim dhe politikë sociale – 19 ose 22 për qind e numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
Debati me temën “Çfarë lloj dialogu social na nevojitet në rrugën drejt BE-së” u mbajt në kuadër të konferencës online “Shpresat e larta dhe rëniet e mëdha: qëndrimet e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile dhe efektet e grupeve të punës sektoriale”, që u organizua sot nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni me partnerë Reaktor – Hulumtimi në aksion, Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane dhe Qendra për Komunikim Qytetar.
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçic tha se që nga marrja e detyrës katër muaj më parë, ai ka paraqitur një qasje të re për punën e të gjitha grupeve sektoriale të punës dhe një iniciativë për t’i shndërruar ato në platforma për dialog më të gjerë, duke shkuar përtej koordinimit të ndihmës së donatorëve, duke theksuar se në periudhën në vijim mbetet të përcaktohet më konkretisht se si dhe në çfarë forme do të përfshihet puna e grupeve sektoriale të punës në negociatat e anëtarësimit, në kuadër të ndryshimeve në kuadrin negociator.
Procesi i integrimit evropian, theksoi Mariçiq, në masë të madhe varet nga kapaciteti i vendit për zhvillim të politikave të cilat do ta afrojnë në BE dhe në këtë drejtim, organizatat civile mbeten motor i këtyre proceseve të cilat nënkuptojnë transformim më të shpejtë të shoqërisë dhe nxitje dhe avancim të reformave.
Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëria e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfilova-Panovska, tha se organizatat e shoqërisë civile e mirëpresin njohjen e dialogut strukturor në dokumentet strategjike të vendit, por gjithashtu theksoi se angazhimet e përcaktuara në këto politika kyçe të qeverisë kërkojnë përkushtim dhe angazhim nga institucionet shtetërore, që do të sigurojnë që dialogu strukturor të zbatohet në praktikë.
Njëkohësisht, theksoi ajo, bëjmë thirrje që kalendari i takimeve të Grupeve sektoriale të punës për vitin 2022 të ndahet me organizatat qytetare sa më shpejtë, duke pasur parasysh atë që gati jemi në gjysmën e dytë të punës.