Arrestohet personi i cili goditi me veturë një këmbësore në Fushë Kosovë e më pas iku nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të identifikoj personin i cili dje me veturën e tij goditi një këmbësore në Fushë Kosovë, e më pas iku nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti se policia ka arritur të arrestojë personin në fjalë.

“Sot rreth orës 09:40, nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar personi dhe automjeti që ka qenë i përfshirë në aksidentin e ndodhur dje në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku është lënduar rëndë një këmbësore.  Fillimisht nga hetuesit është përcjellë automjeti i dyshuar, derisa ka arritur në një autoservis në Çagllavicë”, ka thënë Ahmeti.

Vetura me të cilën u godit këmbësorja në Fushë Kosovë

Ai ka shtuar se ka qenë reagimi i shpejtë i hetuesve ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa i cili ishte i dëmtuar.

“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, rasti do të përcillet në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe dje rreth orës 11:00 në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, kishte ndodhur  aksidenti ku si pasoj e aksidentit lëndime trupore kishte pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor.