Arrestohen pesë persona për posedim të drogës

Tetovë, 5 korrik – Policia e Tetovës informon se në tre raste mbrëmë nga ora 22 dri në orën 2 pas mesnate janë arrestuar pesë persona te të cilët është gjetur drogë. Në rrugën “Lubotenska” në Tetovë rreth orës 22 nga liria është privuar një 41 vjeçar nga Tetova pasi te ai është gjetur kokainë. Gjysmë ore më vonë në rrugën “29 Nëntori” në Tetovë, një grua 26-të vjeçare nga qyteti është arrestuar sepse tek ajo është gjetur kokainë.

“Mbrëmë rreth orës 02:10, në rrugën lokale në Tearcë të Tetovës, zyrtarët policorë të SPB-së Tetovë kanë privuar nga liria J.A.(24) dhe V.A.(20) nga Përshovca e Tetovës dhe D.S.(21) nga Sllupçani, Kumanovë, të cilët dhjetë minuta më herët në rrugën rajonale Xhepçisht-Përshovcë nuk janë ndalur me veturën e tyre “Volksfagen Golf” me targa të Tetovës, në të cilën udhëtonin të tre dhe kanë tentuar të godasin njërin nga policët”, njofton Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.

Sipas informacionit të SPB-së Tetovë gjatë bastisjes së automjetit është gjetur hashash, marihuanë dhe gaz lotsjellës. Të tre personat janë ndaluar në Stacionin Policor Tetovë për sqarim dhe dokumentim të rastit, pas së cilës do të përballen me parashtresa përkatëse.