Arrestime të 1.200 afganëve pa dokumente në Pakistan

Policia pakistaneze gjatë disa bastisjeve arrestoi 1.200 shtetas afganë, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët kishin ardhur në qytetin jugor pakistanez Karaçi pa dokumente valide të udhëtimit, kumtuan persona zyrtarë.

Arrestimi dhe fotografitë në rrjetet sociale të fëmijëve të arrestuar afganë të vendosur në qelitë e burgut shkaktuan kritika në Afganistan, i cili ka marrëdhënie të këqija me Pakistanin fqinj.

Së paku 139 afganë dhe 165 fëmijë ndodhen në burgun e shkallës së lartë të sigurisë në Karaçi, thuhet në raportin e publikuar këtë muaj nga Komisioni nacional pakistanez për të drejta të njeriut, i cili intervistoi të burgosur.

Autoritetet pakistaneze sot kumtuan se të arrestuarit do të deportohen në Afganistan pas vuajtjes së dënimeve me burg për hyrje ilegale apo kur avokatët e tyre do ta parashtrojnë dokumentacionin e nevojshëm për lirimin e tyre.

Autoritetet pohojnë se shumica e të arrestuarve, megjithatë, dëshirojnë të kthehen në shtëpi.

Edhe pse Pakistani në mënyrë rutinore kryen arrestime të tilla, në tetor filluan seri të bastisjeve të koordinuara për arrestim të afganëve pa dokumente valide në Karaçi dhe në vende të tjera.