Arben Taravari u zgjodh nënkryetari i vetëm i Aleancës për Shqiptarët

Shkup, 10 maj – Kryesia e Aleancës për Shqiptarët (ASH) mbrëmë ka mbajtur mbledhjen e parë pas Kongresit të dytë dhe mbledhjes së Kuvendit të partisë. Me ndryshimet e reja në organizimin partiak, ASH do të ketë vetëm një nënkryetar dhe anëtarët e kryesisë unanimisht vendosën që nënkryetar të zgjidhet Arben Taravari, aktualisht kryetar i komunës së Gostivarit.

Organet e tjera partiake, siç theksojnë nga kjo parti, do të zgjidhen gjatë mbledhjeve të ardhshme të kryesisë.

Në këtë mbledhje, madje u vendos që thirrja për kandidatët për kryetarë të degëve të ASH-së të shpallet më 16 maj deri më 23 maj.

“Inkurajojmë çdokënd që beson se ka aftësitë dhe vizionin e duhur për drejtimin e degëve lokale të ASH-së të aplikojë dhe të bëhet pjesë e garës”, tha kryetari i ASH-së Ziadin Sela në deklaratën për media pas përfundimit të mbledhjes.

Në konferencën për media, Sela mes tjerash shpalosi qëndrimet partiake edhe mbi zhvillimet e fundit të cilat poashtu u diskutuan në mbledhjen e djeshme.