Anulimi i fluturimeve në aeroportet e RMV-së është i vogël në përqindje
Shkup, 19 gusht – Në aeroportet e vendit ka fluturime të anuluara, por përqindja është e vogël dhe situata nuk është aq e theksuar sa në aeroportet evropiane, ku vëllimi ditor është shumë më i madh. Nga TAV Maqedoni thonë se situata po përhapet nga aeroportet evropiane, por tek ne nuk është aq dramatike sepse nuk kanë probleme me kapacitetet e dy aeroporteve maqedonase që mund të shkaktojnë vonesa apo anulime fluturimesh.
“Ka fluturime të anuluara, por përqindja është e vogël, për shembull në korrik, nga gjithsej 1.572 fluturime të planifikuara në aeroportin e Shkupit, janë anuluar 30 fluturime, që paraqet 1,9 për qind të trafikut të përgjithshëm. Kjo nënkupton se anulimet po ndodhin, por situata nuk është aq e theksuar sa në aeroportet evropiane, ku vëllimi ditor është shumë më i madh”, deklarojnë për MIA-n nga TAV Maqedoni.
Mbi 75 për qind e trafikut të pasagjerëve në dy aeroportet maqedonase është i përqendruar drejt destinacioneve në Evropë, prandaj, thekson koncesionari, është normale që situata me vonesat dhe anulimet e fluturimeve që ndodhin në aeroportet evropiane të transmetohet edhe në aeroportet e Maqedonisë së Veriut, por këtu nuk është aq dramatike sa është rasti me aeroportet e destinacioneve evropiane.
Aviacioni, thekson TAV Maqedoni, funksionon si sistem i enëve të ndërlidhura, aeroplanët që duhet të fluturojnë sot nga Shkupi fillimisht duhet të vijnë nga një aeroport tjetër, nga destinacionet me të cilat jemi lidhur. Pra, nëse avioni vonon në Shkup, nisja e tij nga këtu automatikisht do të vonohet dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu, përveçse të përshtatemi me situatën që na vjen nga jashtë. Vonesat dhe anulimet e fluturimeve që ndodhin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportin e Ohrit janë vendim i kompanive ajrore. Sipas asaj që operatori i aeroportit merr si informacion prej tyre, vonesat dhe anulimet ndodhin për arsye të ndryshme, të cilat mund të jenë ose operative ose për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Pasagjerët këshillohen të kontaktojnë kompaninë ajrore nëse kanë ankesa dhe/ose duhet të kërkojnë kompensim në lidhje me kushtet e paplotësuara në lidhje me fluturimin e tyre. Kur pasagjerët blejnë bileta avioni nga kompania ajrore, ata praktikisht lidhin një kontratë me të, domethënë ata pajtohen me rregullat dhe kushtet e përdorimit të shërbimit të përshkruar nga vetë kompania ajrore.
“Ajo që është e rëndësishme që udhëtarët dhe opinioni të dinë është se ne si operatorë aeroporti nuk kemi probleme me kapacitetet e dy aeroporteve të Maqedonisë që mund të shkaktojnë vonesa apo anulime të fluturimeve. Në TAV Maqedoni nuk kemi mungesë të personelit. Ne kemi punuar sipas planit për të pasur staf të mjaftueshëm për të trajtuar operimet me avionë, pasagjerë dhe bagazhe në këtë sezon veror, i cili prisnim të rriste trafikun ajror, duke pasur parasysh se njerëzit tashmë kanë filluar të udhëtojnë më intensivisht që nga fillimi i pranverës, pasi kufizimet për KOVID-19 nga vendet e huaja për qytetarët maqedonas u hoqën”, thonë nga TAV Maqedoni.
Rritja e kostove si për pasagjerët ashtu edhe për industrinë ajrore
Aviacioni si sektorët e tjerë po përballet me kosto apo shpenzime të shtuara për shkak të krizës energjetike dhe kjo reflektohet edhe në çmimet e udhëtimeve.
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë rritje të kostos së jetesës në transportin ajror të udhëtarëve në vend për 36 për qind në korrik në krahasim me qershorin e këtij viti.
Zhvillimet globale dhe kriza energjetike ndikojnë edhe në funksionimin e operatorit të aeroportit.
“Në TAV Maqedoni, si çdo biznes, përballemi me kosto të shtuara për inputet në operimin tonë, sepse çmimet e energjisë kanë rritur çmimet e pothuajse të gjitha produkteve dhe shërbimeve. Për shembull, këtë vit e paguajmë 4 herë më të lartë çmimin e energjisë elektrike për dy aeroportet maqedonase, krahasuar me vitin 2021. Por ne ndjekim zhvillimet globale, projeksionet ekonomike dhe i rregullojmë hapat tanë të biznesit sipas parashikimeve të furnitorëve”, deklarojnë nga TAV-i.
Po shqyrtohet një model i ri për subvencionimin e kompanive ajrore
Të dhënat e TAV Maqedoni tregojnë se rimëkëmbja e qarkullimit ajror maqedonas që filloi vitin e kaluar ka vazhduar edhe këtë vit. Tani jemi në -18 për qind të qarkullimit të pasagjerëve në vitin 2019, i cili konsiderohet viti standard në aviacion, përpara fillimit të krizës Kovid-19.
Operatori i aeroportit për momentin nuk ka informacione të konfirmuara për hapjen e linjave të reja ajrore në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit, por theksojnë se në vazhdimësi janë duke punuar për këtë dhe për të tërhequr linja të reja ajrore që do të fillojnë të fluturojnë nga dy aeroportet e Maqedonisë.
Në vend, që nga viti 2012 është aplikuar modeli i subvencionimit të kompanive ajrore nga Qeveria. E fundit nga tre kontratat trevjeçare të lidhura me kompaninë ajrore hungareze me kosto të ulët “Wiz Air” ka skaduar më 1 mars të këtij viti. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se do të shpallë tender të ri për këtë qëllim, por, siç thonë nga atje, është duke u shqyrtuar një model i ri për shpërndarjen e mbështetjes shtetërore.
“Me modelin aktual kemi një numër rekord pasagjerësh, mbi dy milionë. Mbështetja ka dhënë rezultate, siç tregojnë të dhënat për rritjen e numrit të pasagjerëve nga 600,000 në 800,000 para subvencionimit të mbi dy milionë pasagjerëve. Me aktivitetet e ndërmarra kemi kontribuar në zhvillimin e trafikut ajror. Pas rënies për shkak të pandemisë të Kovidit, këtë vit ka përmirësim dhe jemi jashtë krizës”, thanë për MIA-n nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Sipas të dhënave të tyre, në bazë të mbështetjes financiare, kompanisë ajrore “Wiz Air” në vitin 2012 i janë paguar 25,6 milionë denarë, në vitin 2013 75,4 milionë dhe në vitin 2014 135 milionë denarë. Në vitin 2015 janë paguar 40 milionë, në vitin 2016 dhe 2017 rreth 104 milionë denarë, në vitin 2018 shuma është 43,8 milionë, në vitin 2019 66,5 milionë. Në vitin 2020 shuma e fondeve të paguara për fluturime të subvencionuara është 21 milionë denarë, në vitin 2021 10,4 milionë, ndërsa këtë vit nuk janë paguar fonde. Kontrata është pezulluar për kohëzgjatjen e koronës, për shkak të së cilës janë paguar fonde në vitin 2020 dhe 2021 për të ardhura të realizuara nga viti 2019.
Në shtatë muajt e parë të këtij viti (janar-korrik) në dy aeroportet e Maqedonisë janë shërbyer gjithsej 1,3 milionë pasagjerë (1 242 524) dhe 10 622 fluturime.
Numri i fluturimeve në linjat ajrore sezonale në të dy aeroportet e Maqedonisë është rritur në sezonin veror (mars-tetor), për dallim nga viti i kaluar. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, nga janari deri në korrik janë realizuar 457 fluturime sezonale, që është 55 për qind më shumë se vitin e kaluar, kur kishte 294 fluturime, ndërsa në Aeroportin e Ohrit këtë vit janë realizuar 831 fluturime sezonale, që paraqet një rritje prej 136 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kur kishte 352 fluturime sezonale. Rritja vjen edhe nga ndryshimet në listën e destinacioneve, por sidomos nga rritja e frekuencës së fluturimeve.
Këtë vit, destinacionet sezonale drejt të cilave linjat ajrore fluturojnë nga aeroporti i Shkupit janë Antalia, Bodrumi, Izmiri, Hurgada, Bazeli, Xheda/Medina, Monastir (Tunizi). Në vitin 2021 ka pasur fluturime sezonale nga Shkupi në Antalia, Bodrum, Hurghada, Bazel dhe Dyzeldorf. Nga aeroporti i Ohrit, këtë vit, linjat ajrore sezonale po i shërbejnë edhe Tel-Avivit dhe Amsterdamit, si dhe Cyrihut, Ajnd’hovenit dhe Katovicës, të cilat ishin të disponueshme edhe sezonin e kaluar të verës.

