Angellovska-Bezhoska: Bankat Qendrore janë të fokusuara në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve

Shkup, 2 tetor – Në kushtet e presioneve të theksuara inflative, bankat qendrore duhet të qëndrojnë të fokusuara në objektivin e tyre parësor, që është stabiliteti afatmesëm i çmimeve, i cili pa asnjë dyshim kërkon normalizimin e politikës monetare. Natyrisht, gjatë normalizimit të politikës monetare, bankat qendrore i marrin parasysh efektet në rritjen ekonomike dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Kjo u potencua nga guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska-Bezhoska, e cila mori pjesë në Samitin e ministrave të Financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe drejtorëve të drejtorive tatimore, të quajtur “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në kushte të rreziqeve të shprehura gjeopolitike”, që u mbajt në Mal të Zi.

Gjatë Samitit, siç kumtuan nga kabineti i guvernatores së BP, Angellovska-Bezhoska ka marrë pjesë aktive në diskutimet në panelin me temë “Politika monetare në një mjedis inflacioni”, në të cilin kanë folur edhe guvernatorët e Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë, Bosnjë e Hercegovinës, Shqipërisë, Kosovës dhe zëvendësguvernatori i Kroacisë.

Pjesëmarrësit në panel e potencuan përshpejtimin e dukshëm të inflacionit në të gjitha vendet e rajonit, i cili arriti mesatarisht 13,5 për qind, si dhe presionet e goditjes energjetike në tregjet valutore, të cilat rezultuan në nevojën e shtrëngimit të politikave monetare në rajon.

Të gjithë pjesëmarrësit në panel janë pajtuar se ruajtja e stabilitetit të kursit devizor është me rëndësi të jashtëzakonshme për stabilizimin e inflacionit.