Analizë/BDI ende nuk ka hequr dorë nga protestat, vetëm po e analizon momenti dhe kapacitetet e Frontit!

Shkup, 18 tetor

– Po kalon dal ngadalë edhe muaji tetor, kurse ende nuk kanë filluar protestat e paralajmëruara nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) gjatë muajëve të vjeshtës. Protestat paralajmëroheshin si shenjë revolte kundër “shkelljes së legjitimitetit etnik”, respektivisht kundër “qeverisë monoetnike”, formulim që opozita shqiptare e përdor për shumicën e tanishme, të cilën e akuzon se nuk pasqyron rezultatet zgjedhore dhe realitetin politik të vendit, shkruan Zhurnal.

Mirëpo vjeshta po kalon, kaluan 100 ditët e qeverisë, kurse as nga BDI, as nga Fronti Evropian ende nuk kemi ndonjë datë të saktë se kur do të fillojnë protestat. Madje maje nuk kemi datë të saktë as kur do të fillojnë takimet me qytetarët, poashtu të paralajmëruara.

Ku po çalon puna?

Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI, kishte qëndrime mjaft agresive pas formimit të qeverisë dhe përfshirjen e VLEN-it si përfaqësues të shqiptarëve.

Fillimisht u paralajmëruan protesta, por më pas u bë një hap edhe më larg, duke kërkuar ndihmën e profesorit amerikan, Paul Williams, për të hapur si tema edhe rajonalizimin, ose konfederalizimin, sipas modeleve të Irlandës së Veriut, apo Belgjikës. Me kalimin e kohës jo vetëm që nuk u shtua agresiviteti, por në shumë raste pati edhe reterime, siç ishte përkrahja për disa propozim ligje të qeverisë.

Williams fillimisht u paraqit si autor i Marrëveshjes së Ohrit, që më pas të rezulton vetëm si ekspert pjesëmarrës në negociatat për MO-në, e më pas edhe të harrohet fare. Ishte kjo periudhë kur amplitudat politike lëviznin poshtë-lartë, si në raportet ndërqeveritare, poashtu edhe në raportet ndëropozitare, e sidomos në raportet pushtet-opozitë, kur shpeshherë paraqitej edhe shpresa se pa i bë 100 ditët e para, qeveria do të pëson ndryshime sa i përket partnerit shqiptar.

Në pritje të epilogut, protestat dhe kantonizimi e rajonalizimi u larguan për pak kohë nga rendi i ditës. Por tani gjërat janë stabilizuar dhe qeveria ka tejkaluar si duket sfidat fillestare ndëretnike dhe sipas gjitha gjasave vazhdon me të njëjtën përbërje, siç u formua në muajin qershor.

Tani sërish është kthyer si opsion mbajtja e protestave kundër qeverisë, por ky opsion po rikthehet në formën më të kujdesshme.
BDI dhe Fronti Evropian topin e hedhin tek qytetarët, kurse këtë e ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti, duke folur me rastin e 100 ditëve të qeverisë dhe duke numëruar “dështimet e qeevrisë” gjatë kësaj periudhe.

“Qytetarët nuk kanë qënë asnjëherë më të nënçmuar, poshtëruar, nënvlerësuar, nëpërkëmbur, pa perspektivë europiane dhe e gjithë kjo ndodh për arsye se humbësit e zgjedhjevepresidenciale dhe parlamentare kanë hyrë në qeveri pa legjitimitet, si humbës dhe pa asnjë kusht.

Ne, të gjitha këto, do t’ua themi qytetarëve, që nga Struga e deri në Likovë”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se “më pas, do të veprojmë ashtu siç do thonë ata!”,
Është e qartë se BDI fillimisht dëshiron të prekë pulsin e anëtarësisë së saj dhe nivelin e revoltës, nëse ekziston disponim për protesta ose jo. Udhëheqësia e BDI-së e din se një strukturë e cila 20 vite e tepër është “kalitur” në pushtet, shenjat e para të revoltës do të fillon t’i shprehë në momentin kur do të fillojë t’i harxhon rezervat e krijuara materiale gjatë qeverisjes së kaluar dhe pasi t’i shuhen gjasat se do të “kontrabandohen” në qeverisjen e re.

Këto dy dukuri janë duke ndodhur për momentin, por edhe më tepër pritet të vinë në shprehje deri në përfundimin e takimeve me qytetarët, kurrezervat nga qeverisja e kaluar do të harxhohen edhe më tepër, e në anën tjetër do të dihet përfundimisht se kush do të pranohet në qeverisjen e re, e kush do të mbetet në opozitë. Tek atëherë, revolta do të jetë më e madhe se tani për momentin.

Nga ana tjetër, BDI është duke analizuar kapacitetet e saj për të organizuar protesta dhe kapacitetet e koalicionit si Front Evropian. Pas largimit të PDSH-së dhe Menduh Thaçit, sikur është krijuar një pasiguri se këtë hap mund t’a përcjellin edhe parti tjera të vogla në koalicion, shkruan Zhurnal. Informata dhe spekulime qarkullojnë që moti për deputetët turq, partia rome e Fatma Osmanovskës dhe Kurto Dudushit nuk ishte në takimin e fundit të Frontit, ashtu siç mungoi edhe PDSH e cila pak më vonë publikisht u largua. Lajm i mirë është konfirmimi i Aleancës së Ziadin Selës se nuk ka ndërmend të lëshon FE-në. Të gjitha këto janë detaje që duhet analizuar, për të vlerësuar se me çfarë kapacitetesh do të dilet në protesta dhe çfarë strategjie do të përzgjidhet. Kurse temat dhe shkaqet në të cilat do të bazohet thirrja për protesta, pak a shumë janë numëruar pikërisht nga Faton Ahmeti në ditën kur numëroi “dështimet e qeverisë”./Zhurnal