Analizë: A është reale kërkesa e Sindikatës për rritjen e rrogës minimale në 18.000 denarë?

Shkup, 3 shkurt – Në Maqedoninë e Veriut kanë filluar të rikthehet atmosfera e viteve të para të tranzicionit, pas pavarësimit të vendit në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Kriza që ka përfshirë tërë botën, e më së shumti vendet e dobëta ekonomike si vendi ynë, pa ndërpre thellohet,kurse komplikimet shfaqen në mënyra të ndryshme.

një formë e manifestimit të këtyre komplikimeve është edhe paralajmërimi i grevës nga Sindikata, nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për rrogë minimale prej 18 mijë denarëve.

Mbrëmë është realizuar edhe takimi i parë me përfaqësuesit e Qeverisë, por gjuhë e përbashkët nuk është gjetur, shkruan Zhurnal.  

Sindikatat dhe Qeveria në pozicione të ndryshme

Nga Qeveria thonë se paga minimale duhet të rritet por zgjidhja sistematike duhet të kërkohet përmes dialogut midis partnerëve socialë. Poashtu, nga ministra e Punës dhe Politikës Sociale është shprehur gatishmëri të hapet edhe çështja për ndryshimin e kritereve për pagën minimale.

Me qëndrim më të ngurtë paraqiten nga Sindikata. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski tha se si Lidhje e Sindikatave të Maqedonisë “nuk e pranojmë fjalën “do”, por “kur” dhe “sa”.

Ai përdor herë pas herë edhe fjalor paksa “militant” duke paralajmëruar vazhdim të “betejës” për të drejtat e punëtorëve. E sipas tij, qëllimi i vetëm është ekzistenca e punëtorit në këtë krizë ekonomike, kovidiane dhe energjetike, shkruan Zhurnal.

Qëndrimi i Qeverisë është se paga minimale do të vazhdojë të rritet, por vlerëson se përmes dialogut duhet të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e qëndrueshme në afat më të gjatë.

Qeveria insiston që përmes negociatave për pagën minimale në të cilat marrin pjesë Qeveria, punëdhënësit dhe punëtorët me fakte dhe argumente duhet të arrihet te zgjidhja e cila është e mirë për të gjitha palët e involvuara.

Nga ana tjetër, Sindikata nuk tregon shumë gatishmëri për të lëshuar pe, por kërkon rritjen urgjente të pagës minimale prej 15.200 denarë aktualisht në 18.000 denarë, duke e argumentuar këtë kërkesë me rritjen e shpenzimeve të jetesës dhe me krizën ekonomike dhe energjetike. Kërkohet edhe rritje e pagave të tjera në shtet.

Gjithmonë ka qenë dhe ashtu do të jetë, kur ka kria ekonomike, ka gjasa edhe për përfitime politike. Për këtë arsye edhe partitë i “përziejnë” gishtat, duke shpresuar të përfitojnë ndonjë pikë. Në rastin konkret në Maqedoninë e Veriut, kërkesat e sindikatave mbështetje morën nga partitë “E majta” dhe RDM të cilat e mbështetën nismën e tyre të shtruar në Kuvend në dhjetor me të cilën kërkojnë ndryshime të Ligjit për pagën minimale.

Dhe çdo herë është shumë vështirë të bëhet përkufizim i saktë nëse partitë kyçen si mbështetëse në kërkesat e sindikatave për të mirën e punëtorëve, apo vetëm për populizëm dhe për të fituar simpati tek votuesit. Askush nuk mund të kontestojë se kërkesa për rrogë minimale prej 18 mijë denarëve është më se e nevojshme, duke pasur parasysh gjitha shtrenjtimet, që ende skanë të ndalur.

Mirëpo duhet pasur parasysh edhe kapcitetet e punëdhënësve në një vend si Maqedonia e Veriut, se sa munden të mbartin barrën e rritjes së rrogave. Duhet menduar mirë para se të shkohet aq larg, deri ën futje në grevë, sepse lehtë mundtë ndodhë kundërefekti, me dështim të biznesve, largim të punëtorëve nga puna, por edhe dukuri tjera si zhytje në inflacion të pakontrolluar. Duhet pasur parasysh gjitha këto rreziqe, paralelisht me kërkesat që parashtrohen nga ana e Sindikatës.

Si rregullohet paga minimale në Maqedoninë e Veriut?

Rregullimi i pagës minimale bëhet çdo mars të vitit sipas tre kritereve – një e treta e rritjes së pagës mesatare të paguar në vend, një e treta e rritjes së indeksit të shpenzimeve së jetesës dhe një e treta e rritjes së BPV-së. Paga e re minimale e harmonizuar fillon të zbatohet në muajin prill.

Paga minimale ishte vendosur në janar 2012, kur u soll Ligji për pagën minimale. Atëherë paga minimale ishte 8.050 denarë, përveç për industrinë e tekstilit dhe të lëkurës, ku kjo shumë ishte arritur në vitin 2015. Në vitin 2019 ishte paga minimale e fundit e përcaktuar me ligj në lartësi prej 14.500 denarë por me harmonizimin e bërë ajo tani është 15.200 denarë.

        Tani kur vjen një kërkesë e re për rritje të pagës minimale, duhet dëgjuar edhe argumentet e palës tjetër, respektivisht argumentet që vijnë nga Organizata e Punëdhënësve ku konsiderohet se propozimi i LSM-së për grevë nuk është serioze, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për pagën minimale prej 18.000 denarëve. Është e natyrshme që punëdhënësit çdo herë synojnë që fuqinë punëtore ta “blejnë” sa më lirë, mirëpo kur parashtrohen argumente serioze, ato duhet analizuar.

Nga kjo Organizatë alarmijnë se të këmbëngulësh dhe të kërcënosh se me grevë duhet të marrësh 18.000 denarë është një gjë joserioze dhe se rritja e pagës minimale duhet të jetë rezultat i një dialogu gjithëpërfshirës mes të gjitha palëve.

Sipas tyre, kompleksiteti buron nga fakti se paga minimale ka dy dimensione, njëra është paga sociale për jetesën minimale të familjeve dhe e dyta është gjendja ekonomike në vend se si do të ndikojë në numrin e të punësuarve. Në këtë situatë padyshim se edhe Qeveria duhet të tregojë shkathtësitë e veta ekonomike, të ndihmojë dhe të gjithë të dalin në fund të kënaqur me një kompromis racional.///Zhurnal