Amirabdolahian: Irani i gatshëm për bisedime me Ukrainën për sulmet ruse me drone

Irani është i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet në Kiev për përdorimin rus të droneve iraniane në konfliktin në Ukrainë, tha diplomati i parë iranian, Hosein Amirabdolahian, raportoi DPA.

Kreu i diplomacisë iraniane i tha homologut të tij ukrainas Dmitro Kuleba në një bisedë telefonike se “ne jemi të gatshëm ta diskutojmë dhe ta zgjidhim këtë në takimet teknike dypalëshe me Kievin”, citohet në kumtesën e ueb  faqes së  internetit të ministrisë, të raportuar nga agjencia gjermane.

Amirabdolahian tha se Irani ka marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të gjatë ushtarak me Rusinë, por ai gjithashtu tha se Teherani është kundër luftës në Ukrainë dhe kundërshton përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt.

Ushtria ukrainase njoftoi dje se deri më tani ka rrëzuar më shumë se 300 drone kamikaze ruse Shahed-136 të prodhuara nga Irani.

“Supozohet se Rusia ka porositur 2400 dronë të tillë nga Irani”, deklaroi zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës.

Udhëheqësia iraniane deri më tani ka mohuar se ka furnizuar Rusinë me drone.

Teherani kurrë nuk e ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, madje e ka përshkruar atë si një kundërmasë të justifikuar ndaj zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, raporton DPA.