Ambasadori austriak vizitoi ITSHKSH-në, iniciohen perspektiva bashkëpunimi

Shkup, 24 mars – Sot në ITSHKSH u zhvillua një takim pune mes të drejtorit Skender Asani dhe ambasadorit të Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Georg Uotsas, me kërkesën e këtij të fundit.

Vizita e ambasadorit austriak vjen si rrjedhojë e thellimit të bashkëpunimit të ITSHKSH-së me përfaqësitë e huaja diplomatike.

Siç theksohet në kumtesë, edhe ky takim do të iniciojë disa perspektiva bashkëpunimi, pasi që ambasadori Uotsas premtoi se për ITSHKSH-në do të jenë të hapura dyert e universiteteve, arkivave, instituteve e muzeve të Austrisë, në funksion të realizimit të projekteve shkencore e hulumtuese.

Ambasada austriake do të jetë urë e këtij bashkëpunimi, kurse ITSHKSH-së, siç u shpreh Uotsas, i mbetet të përplojë programin e projekteve e aktiviteteve që synonin t’i realizojë në të ardhmen.

“Gjatë këtij takimi, drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, pasi që prezantoi punën dhe planet e këtij Instituti, iu falënderua ambasadorit austriak për gjithë kontributin që ka dhënë Austria në mbështetjen e proceseve socio-kulturore në dekadat e kaluara, me çka është përcaktuar edhe orientimi properëndimor i shqiptarëve”, thuhet në kumtesë.

Ky kontribut, sipas Asanit, ka qenë i dukshëm në disa ngjarje të rëndësishme nga historia kulturore e politike e shqiptarëve, përfshi edhe Kongresin e Manastirit, hapjen e mësonjëtores së parë për vasha në Korçë deri te proceset që sollën pavarësinë kombëtare dhe periudhën pas saj ku Austro-Hungaria kishte dhënë ndihmesë të drejtpërdrejt në hapjen e shkollave, revistave e institucioneve të ndryshme shqiptare në Shkodër dhe në disa qytete të tjera.

Ambasadori austriak Dr. Georg Uotsas, nga ana tjetër inkurajoi drejtorin Asani në përpjekjet e tij iluministe për të vazhduar punën në thellimin e hulumtimeve shkencore që si pikësynim kanë ndriçimin e rrugëve të mirëkuptimit në mes të njerëzve e bashkësive me diversitete të ndryshme etnike, gjuhësore e fetare.