Albin Kurti takon kryebashkiakune Tiranës

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitinë kanë pritur në takim miqësor kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe nënkryetaren e Bashkisë, Anuela Ristani.

Ata diskutuan për pandeminë dhe ecurinë e procesit të vaksinimit në të dyja shtetet.

Kryebashkiaku Veliaj u interesua për efektin e pandemisë në ekonomi, duke e vlerësuar rolin dhe vullnetin e diasporës së Kosovës për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Kurti tha se ekonomia ka filluar të shënojë ngritje dhe sipas projeksioneve rritja ekonomike do të arrijë në 7,9 për qind të bruto produktit vendor. Ai tha se është shënuar progres edhe në eksporte, edhe në mbledhje të tatimeve.

U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dyja shteteve vitin e ardhshëm.

Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, kryeqyteti evropian i rinisë 2022”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se këto dy ngjarje janë mundësi e mirë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare.