Albin Kurti premton investime të mëdha për rajonin e Gjilanit dhe Kosovën

Në një takim të zhvilluar në kryeqendrën e Anamoravës, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti prezantoi disa nga prioritetet dhe projektet e tij për zhvillimin e rajonit të Gjilanit dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.
Kurti theksoi se do të realizohen investime të mëdha për të forcuar sektorët kyç, përfshirë mbi 1 miliard euro investime në ushtri dhe 1 miliard euro investime kapitale çdo vit.
Një nga projektet më të rëndësishme që ai theksoi është ndërtimi i autostradës së Gjilanit deri në Dheu i Bardhë, si dhe renovimi i stadiumit të Gjilanit.
Kurti tha se do të krijojë një grup pune ekskluziv për mbikëqyrjen e këtyre dy projekteve, për t’u siguruar se ato do të përfundojnë sa më shpejt dhe me standarde të larta.
Përveç kësaj, ai njoftoi programin “Anembanë” për transportin publik, i cili do të ofrojë bileta mujore të integruara për vetëm 10 euro, për t’u mundësuar qytetarëve udhëtime më të lira dhe më efikase në të gjithë Kosovën. /Telegrafi/