Aksident trafiku në Ferizaj, humb jetën një 17 vjeçar
Një 17 vjeçar ka humbur jetën në një aksident trafiku në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj.
Policia njofton se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 06:50, transmeton Telegrafi.
“Sot, rreth orës 06:50 në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj, ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, e përshirë vetëm një automjet civil i udhëtarëve me targa vendore . Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën lokale, nga fshati Pojatë në drejtim të Ferizajt dhe për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, drejtuesi humb kontrollin mbi automjet, kalon në anën e djathtë të rrugës, drejtimi i lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku dhe përfundon jashtë rrugës”, njofton Policia
Policia njofton se vdekjen e viktimës e 17 vjeçarit e ka konfirmuar Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Ferizajt.
“Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, humb jetën pasagjeri L.A. ( M/K), i moshës 17 vjeçar, ( vdekjen e tij, e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, mjeku nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Ferizajt) , ndërsa lëndime trupore pëson, drejtuesi i automjetit N.A ( M/K) i moshës 21 vjeçar, i cili pasi ka marr ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i njëjti për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, vijon njoftimi.
Tutje në njoftim thuhet se, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Policia njofton se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , i ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe po e heton rastin.