A ju kujtohet Elizabeta Kançeska, deputetja që u reshtua krah Zaevit? Ende nuk ka aktvendim për rastin “Tenderët”

Shkup, 11 maj – Më tepër se katër vite po gjykohet ish ministrja e kulturës Elizabeta Kançeska Milevska për rastin “Tenderët”, e për të cilën ende sot e kësaj dite nuk ka një aktvendim. Seanca për të cilën duheshte të mbahet dje u shtye, ndërsa seanca tjetër është caktuar për muajin e ardhshëm, informon Zhurnal.

“Informojmë opinionin se debati i caktuar për më 10 maj 2022 është ricaktuar, duke patur parasysh se lënda ende është në fazë të super-ekspertizës dhe deri në këtë moment nuk është kthyer në veprim të mëtutjeshëm të gjykatës”, informojnë nga Gjykata Penale.

Rasti për “Tenderët” vitin e kaluar për herë të pestë filloi nga fillimi, sepse tre herë lënda filloi nga fillimi përshkak se kaluan 90 ditë nga seanca në seancë, ndërsa dy herë përshkak se është ndryshuar gjykatësi porot.

Hetimi ishte hapur në vitin 2016 ndërsa gjykimi pati filluar në vitin 2018.

Ajo akuzohet për tenderin për kryerje të punëve ndërtimore në muzeun e luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi, nga projekti Shkupi 2014. Të akuzuar janë edhe dy persona të tjerë.

Ndryshe përndjekja penale ndaj Kançeska Milevskës u zbeh që nga koha kur ajo u reshtua krah Zaevit dhe votoi për hapjen e Kushtetutës dhe për ndryshimin e emrit të shtetit, nga Republika e Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ajo ishte pjesë e tetë deputetëve të cilët nga VMRO-DPMNE dolën dhe vepruan si “të pavarur”, por opinioni dyshonte se ata veprojnë me urdhëra të Zaevit pasi janë të kanosur me përndjekje penale. Edhe Krsto Mukoski gjithashtu “shpëtoi” nga të gjitha akuzat për 27 prillin 2017. Ai madje pasi votoi për ndryshim të emrit, filloi të fitonte disa tenderë për kompaninë e tij./Zhurnal.mk