A do ta përsërit gabimin e njëjtë BDI, të garojë edhe në zgjedhjet lokale me figurat e vjetërsuara?
![](https://medial.mk/wp-content/uploads/2024/12/Ali-Ahmeti.jpg)
Shkup, 11 dhjetor – Meqë zgjedhjet lokale janë afruar ka mbetur edhe më pak se një vit, partitë politike kanë filluar kalkulimet e tyre që tani, sepse dihet që këto zgjedhje lokale do të jenë përcaktuese edhe të politikave qendrore. Prandaj, në këtë situatë BDI do ta ketë mjfatë të vështirë në përzgjedhjen e figurave të përshtatshme me të cilat do të garojë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pra, BDI në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi me prijës figurat më të lodhura politike, i riktheu në skenë pensionerët politkë, Musa Xhaferin, Sadulla Durakun, Blerim Bexhetin e të tjerë, a do ta përdorë strategjinë e njëjtë edhe gjatë zgjedhjeve lokala? shkruan Zhurnal.
Si do ia bëjë në Çair?
Bastioni i LD-së, Izet Mexhitit, konsiderohet të jetë Çairi aty ku edhe ky i fundit korri sukses në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pra, thuhet që Mexhiti në Çair derdhi gjithë potencialin e tij që kishte vetëm që ta fitojë Artan Grubin, fitore që pastaj i dha edhe legjitimitet për ta marrë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë. Tani derisa nga VLEN nuk do ta kenë vështirë të gjejnë një figurë adekuate për të garuar në Çair, nga BDI do ta kenë mjaftë të vështirë.
Pra, nuk dihet akoma si do ia bëjë BDI në këtë komunë që është mjaftë delikate, pra për ta fituar Izet Mexhitin në bastion e tij. Do të jetë mjaftë e vështirë që të gjendet një figurë që do t’i bëjë ballë VLEN-it në Çair.
Me cilat figura do të garojë BDI në komunat tjera shqiptare?
Në komunat tjera, bie fjala në Likovë a do të garojë sërish me Sadulla Durakun apo Erkan Arifin për mandat të tretë. Nëse e nxjerr Durakun ky i fundit duhet të jap dorëheqje nga pozita e deputetit. Nëse asnjëri prej këtyre jo, nuk dihet cila figurë tjetër është e gatshme për ta fituar kundërkandidatin e VLEN-it në Likovë.
Në Strugë, në bazë të informatave jo zyrtare flitet që ka mospajtime mes Ramiz Merkos dhe Jeton Shaqirit. Prandaj, nëse kreu i BDI-së, kërkon të dalë Jeton Shaqiri t’i prijë Strugës nuk dihet ky i fundit a do ta ketë “aminin” e Merkos, i cili tashmë është pjesë e listës së zezë amerikane.
Tetova, Gostivari, komunat tjera me rrethinë janë komuna në të cilat gravitojnë dhe qëndrojnë fortë ASH e Taravarit dhe Besa e Kasamit, prandaj akoma nuk kanë dalë emra të mundshëm potencial që mund t’i prijnë.
Deri në këto momente flitet për Faton Ahmetin në Tetovë dhe Valdet Xhaferin në Gostivar. Pasi ndër figurat e konsumuara politike në këtë zonë janë Talat Xhaferi, Musa Xhaferi. Nevzat Bejta tashmë ka aderuar në LD-në e Izet Mexhitit.
BDI e vetme në zgjedhjet lokale –
Sipas gjitha gjasave BDI do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale pa pasur ndihmën e partive tjera ashtu siç ka pasur në zgjedhjet paraparake. Me VMRO-në janë në hasmëri afatgjate, me LSDM-në gjithashtu edhe pse i bashkon opozita nuk kanë fare raport të mirë, sepse këta të fundit i akuzojnë se BDI ishte shkak që LSDM dështoi aq rëndë dhe keq.
Madje, kreu i LSDM-së Venko Filipçe deklaroi se LSDM-ja e ka marrë leksionin nga bashkëqeverisja me BDI-në duke ja faturuar partnerit të deridjeshëm të koalicionit meritat për rënien e rejtingut në zgjedhjet e fundit dhe për ndryshimet e nevojshme kadrovike që pësuan në parti. “Ishim servilë ndaj partnerëve të koalicionit kurse ata e keqpërdorën zemërgjerësinë tonë”, tha Filipçe në intervistë për 360 gradë.
E për këtë BDI-ja duket se nuk ndjen përgjegjësi. Ata thonë se ndjekin vullnetin e shqiptarëve dhe jo të partnerit të koalicionit.
“Ne nuk jemi VLEN që t’i përshtatemi dikujt tjetër dhe nuk mund të mbajmë llogari se kë ka dëmtuar puna jonë. Puna jonë është vullnet i shqiptarëve dhe ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen atë vullnet ta artikulojmë kurse për përshtatje pyetni ata të tjerët të cilët jo vetëm që përshtaten por edhe shumë mirë shërbejnë”, deklaroi Blerim Bexheti.
Megjithatë, mbetet të shihet ditëve në vijim se cila do të jetë strategjia e integristëve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale. Që aspak nuk do të jenë të lehta, pasi pas një kohe të gjatë BDI për herë të parë do të garojë në zgjedhjet lokale pa qenë në pushtet qëndror. E nuk dihet nëse kjo do të jetë dobësi apo përparësi e BDI-së. /Zhurnal.mk