Kryetari i Kongresit amerikan, Johnson: Nuk kemi ‘oreks’ për ta financuar më shumë Ukrainën
Kryetari i Kongresit amerikan, Mike Johnson, ka deklaruar se nuk ka “oreks” për një tjetër paketë financimi për Ukrainën, duke reflektuar një ndryshim të mundshëm në politikën e ndihmave të Uashingtonit ndaj Kievit.
Në një intervistë për Newsmax, republikani dhe aleati i presidentit amerikan, Donald Trump, theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në zgjidhjen e konfliktit sesa në zgjatjen e tij me fonde shtesë.
“Duhet t’i japim fund kësaj lufte”, tha ai, duke nënvizuar se një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit nuk është në interesin e SHBA-së, shkruan skynews.

Johnson gjithashtu argumentoi se qëndrimi i tij është në përputhje me interesat e aleatëve evropianë. “Aleatët tanë evropianë e kuptojnë gjithashtu këtë domosdoshmëri”, shtoi ai, duke sugjeruar se edhe vendet e tjera perëndimore mund të kenë një qasje më të kujdesshme ndaj financimit të mëtejshëm të luftës.

