Ambasadorja amerikane në Rusi viziton gazetarin e burgosur Gershkovich

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy e ka vizatuar të hënën në burg gazetarin e të përditshmes amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Kjo është vizita e tillë e tretë që realizohet, prej burgosjes së gazetarit në mars, nën akuzat për spiunim, të cilat ai i hedh poshtë, shkruan REL.

“Ambasadorja Tracy ka thënë se Evan vazhdon të gëzojë shëndet të mirë dhe është i fortë, pavarësisht rrethanave”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se Uashingtoni pret që Moska të vazhdojë të ofrojë qasje në vizita.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Federatës Ruse që ta lirojë menjëherë Evan Gershkovichin dhe ta lirojë shtetasin tjetër amerikan, Paul Whelan, i cili është burgosur gabimisht”, ka thënë mes tjerash zëdhënësi.

Rusia ka thënë se e ka zënë Gershkovichin duke tentuar që të sigurojë sekrete ushtarake, sa ka qenë në një udhëtim në qytetin rus Jekaterinburg, mirëpo nuk ka ofruar dëshmi për ta mbështetur pretendimin.