Gjenerali ‘Krijesa e Moçalit’, emërohet Shef Shtabi i Ushtrisë Amerikane
Presidenti Joe Biden emëroi për detyrën e Shefit te Shefave të Shtabit të Bashkuar, gjeneralin me katër yje Charles Quinton Brown Jr.
Shtabi i Bashkuar përbëhet nga shefat e gjashtë degëve të ushtrisë: forcat tokësore, forcat detare, forcat ajrore, marinsat, garda kombëtare dhe operacionet hapësinore. Gjenerali Brown, aktualisht është Shef i Shtabit të Forcave Ajrore.
Piloti i avionëve luftarakë e ka marrë nofkën ‘Krijesa e Moçalit’, nga një ngjarje e vitit 1991, kur ai u hodh me katapultë nga një avion luftarak F-16, që po digjej, mbi një park kombëtar në shtetin e Floridës.
Ishte janar dhe kapiteni CQ Brown Jr. duhej të merrte një vendim brenda disa sekondash. Shtyp butonin dhe hidhet me parashutë mbi ligatinat e mbushura me krokodilë.
“Shpresoj të mos ketë asgjë aty poshtë“, ishte ajo ç’ka mendoi ndërsa ulej me parashutë, siç e rrëfeu vetë vite më pas, në një intervistë gjatë Forumit të Sigurisë që u mbajt në Aspen, vitin e kaluar.
Ai u zhyt në baltë, e cila i mbuloi trupin. Që nga ajo ngjarje, ai do të njihej mes kolegësh pilotë, si “Krijesa e Moçalit”.
Zoti Brown, tashmë një gjeneral me katër yje dhe shef i Forcave Ajrore, u emërua të enjten nga Presidenti Biden. Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë gjeneralin Mark Milley, mandati i të cilit përfundon në tetor.
Zoti Brown, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si një nga aviatorët kryesorë të Forcave Ajrore. Ai ishte një nga pilotët e paktë me ngjyrë dhe shpesh një nga të vetmit afrikano-amerikanë në skuadriljen e tij.
Gjatë një konference të shoqatës së Forcave Ajrore që u mbajt në Kolorado këtë muaj, zoti Brown tha se parimet që e udhëheqin atë në zbatimin e detyrës së tij janë “përmbushja e detyrave me një standard të lartë, personal e profesional”.
“Unë nuk garoj për vendin e dytë. Nëse jam në garë e marr atë seriozisht. Futem për të fituar, jo për të humbur”, tha ai.
Zoti Brown ka bërë shpesh histori gjatë karrierës së tij. Ai ka qenë komandanti i parë me ngjyrë i Forcave Ajrore të Paqësorit dhe së fundmi shefi i parë me ngjyrë i shtabit të Forcave Ajrore, duke e bërë atë afrikano-amerikanin e parë, që drejton një nga degët e ushtrisë.
Nëse konfirmohet, ky zhvillim do të shënonte sërish histori, pasi do të ishte hera e parë, që të dy postet kryesore të Pentagonit, do të mbaheshin nga afrikano-amerikanë. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, një afrikano-amerikan, udhëheq postin më të lartë civil.

