Milatoviq pas marrjes së funksionit: Prioritet do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt BE-së

Podgoricë, 20 maj – Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq e dha betimin në Kuvendin e Malit të Zi dhe e ka ndërmarrë detyrën president të atij vendi.

Milatoviq në fjalimin e tij tha se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, se do të punojë në promovimin ekonomik të Malit të Zi dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore, njoftoi Radiotelevizioni i Malit të Zi.

“Do të bëhem president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare dhe fetare”, tha Milatoviq.

Presidenti i ri i Malit të Zi tha se prioritet i tij do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se të gjitha vendeve në rajon u nevojitet vizion evropian.