Luftimet hyjnë në ditën e pestë: Izraeli me sulme ajrore, palestinezët me raketa

Militantët palestinezë në Gaza e vazhduan hedhjen e raketave drejt Izraelit të shtunën herët, pasi aeroplanët izraelitë bombarduan caqe të Xhihadit Islamik gjatë natës, përderisa luftimet hynë në ditën e pestë.

Egjipti është duke bërë përpjekje për të arritur një armëpushim mes palëve pas luftimeve që deri më tani kanë lënë të paktën 33 palestinezë e një Izrael të vdekur, raporton agjencia “Reuters”.

Përleshja e re e vazhdon vargun e dhunës së gjatë më shumë se një vit mes dy palëve, nga e cila mbi 140 palestinezë e të paktën 19 izraelitë e të huaj janë vrarë vetëm nga janari.

Ushtria izraelite tha se i goditi qendrat e komandës dhe raketahedhësit e Xhihadit Islamik gjatë operacioneve të kryera para agimit. Në pamjet e publikuara nga ushtria shihen shpërthime dhe tymi duke dalë nga zonat e bombarduara.

Disa orë më vonë, militantët e Gazës hodhën raketa, duke i aktivizuar sirenat e alarmit dhe duke i nxitur izraelitët e komuniteteve kufitare që të vraponin drejt strehimoreve kundër bombave. Nuk pati raportime për pasoja në njerëz.

Gjashtë komandantë të lartë të Xhihadit Islamik janë vrarë nga e marta, kur forcat izraelite filluan një fushatë kundër këtij grupi, duke thënë se ai ishte duke përgatitur sulme.

Xhihadi Islamik, grupi më i madh i armatosur në Gaza pas Hamasit, ka hedhur gati një mijë raketa, disa prej të cilave kanë depërtuar thellë në territorin e Izraelit. Një grua u vra të enjten, kur një banesë u godit nga një raketë në periferi të Tel Avivit.

Të paktën katër gra dhe gjashtë fëmijë kanë vdekur në Gazan me popullsi të dendur, territor i varfër bregdetar, i bllokuar nga Izraeli dhe Egjipti që nga viti 2007. Izraeli ka thënë se katër palestinezë janë vrarë aksidentalisht nga raketat e militantëve në Gaza, por kjo është mohuar nga Xhihadi Islamik. /Nacionale