Kryediplomati britanik thotë se rezultati i luftës në Ukrainë do të ketë pasoja për tërë botën
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, ka thënë se rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës do të ketë pasoja për tërë botën dhe se kundërsulmi i Ukrainës nuk është film. Ai e dha këtë deklaratë të martën gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka gjë të sigurt, kur bëhet fjalë për konflikt”– tha kryediplomati britanik, duke shtuar se, përderisa ushtria ukrainase vazhdimisht i ka tejkaluar pritshmëritë, “në luftë nuk mund të ketë garanci”, raporton Radioja “Evropa e Lirë”.
Cleverly e bëri këtë koment si përgjigje ndaj një pyetje për atë se si Britania planifikon që ta bindë ShBA-në për nevojën që të vazhdohet përkrahja ndaj Ukrainës, nëse trupat ukrainase “nuk shfaqin një fitore vendimtare në disa muaj të ardhshëm”.
Sekretari britanik tha se forcat ukrainase kanë mësuar shpejt dhe janë mbrojtur në mënyrë efektive dhe se vendet perëndimore “duhet të vazhdojnë që t’i përkrahin ato pavarësisht nga fakti nëse shënohen fitore të mëdha përmes kundërsulmit në fushën e betejës apo jo”.
Ai e përmendi edhe rëndësinë e reagimit vendimtar të Perëndimit deri më tani ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
“Sytë e botës janë duke shikuar se si ne i përgjigjemi kësaj sfide”– tha ai, duke shtuar se është e rëndësishme që aleatët e Ukrainës të dëshmojnë vendosmëri për të arritur te një konkluzion i suksesshëm.
Në anën tjetër, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun britanik, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, nuk u pajtua me pretendimin se përkrahja për Ukrainën është duke u venitur në ShBA.
Ai e përmendi deklaratën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë, për përkrahjen për Ukrainën.
McCarthy tha më 1 maj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që ta përkrahin Ukrainën, pasi një gazetar rus pyeti për përkrahjen e shitjes së vazhdueshme të armëve amerikane për Kievin.
Sekretari Blinken tha se pajtohet me homologun britanik se përkrahja ndaj Ukrainës është në vijë me interesat e vendeve perëndimore dhe se Ukraina i ka ato që i nevojiten për të vazhduar që të jetë e suksesshme për rifitimin e territorit që është marrë me forcë nga Rusia gjatë 14 muajve. /Nacionale

